Partneriteti me aleatët strategjik do të jetë orientimi ynë kryesor
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur sot në takim pune kryeministrin Avdullah Hoti, ku ka adresuar çështjet me prioritet të kësaj ministrie.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se partneriteti me aleatët strategjik do të jetë orientimi kryesor i politikës së jashtme.
Postimi i plotë e ministres së jashtme:
Kënaqësi të prisja sot në vizitë pune Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti.
E falënderova Kryeministrin për vizitën, dhe adresova çështjet me prioritet për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duke e vënë theksin në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, dhe funksionalizimin e plotë të MPJD-së pas fuzionimit.
Partneriteti me aleatët strategjik do të jetë orientimi ynë kryesor në koordinimin e objektivave të politikës së jashtme, dhe zgjatja e dorës së shtetit për diasporën tonë do të bëhet me të gjithë kapacitetin që kemi, duke i trajtuar me dinjitet dhe korrektësi.
(M.K / Epoka e re)