Pas 13 vjetësh, Klarku i “vogël” i Kosovës takon sërish Clarkun e madh Amerikan
Ish-komandanti Suprem i Aleancës Veriatlantike – NATO, gjatë bombardimeve në vitin 1999, Wesley Clark, ka vizituar Kosovën me rastin e 20-vjetorit të çlirimit.
Clarku në Kosovë ka qëndruar me bashkëshortën e tij dhe dy nipat.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Clark është takuar edhe me djaloshin që e mban emrin e tij si nderim për kontributin që ka dhënë për shtetin tonë.
I lindur në vitin 2000, Klark Dërmaku u pagëzua me emrin e gjeneralit Clark nga gjyshi i tij, Hasim Dërmaku, për të nderuar kontributin e tij për Kosovën.
“Intervenimi i NATO-s në Kosovë, i dha fund terrorit që ishte duke ndodhur mbi popullin shqiptar, duke shpëtuar kështu mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Në nder të Komandantit Suprem të atëhershëm të NATO-s, vendosa që nipin tim ta pagëzojë me emrin e tij”, rrëfen gjyshi i Klarkut për Ballkani.info.
Familja kosovare ishin kthyer në Kosovë po atë vit, ndërsa për herë të parë, Klarku i vogël pati mundësinë ta takonte Clarkun e madh në vitin 2006, gjatë vizitës së gjeneralit në Prishtinë.
Sot në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, gjenerali Clark dhe djaloshi që mban emrin e tij, patën rastin të takohen përsëri, ndërsa kujtuan takimin e tyre të parë kur Klarku ishte vetëm 6-vjeçar.
“E mbaj mend edhe takimin e parë, unë kam qenë duke ecur në afërsi të teatrit ndërsa ju ishit ende të vogël, me flokë të gjata”, kujton Clark.
Në anën tjetër, Klarku kosovar e falenderoi edhe njëherë gjeneralin për kontributin e tij ndaj shtetit të Kosovës, duke i thënë se ka nderin ta takojë përsëri pas kaq shumë vitesh.
Në takimin e Klarkut me gjeneralin Clark ishin të pranishëm edhe dy nipat e gjeneralit. /Ballkani.info/