Pas 25 vitesh, bosi “përbindësh” i Cosa Nostra-s shijon sërish lirinë
Në qoftë se dhuna dhe krimet e mafies siçiliane do të identifikoheshin në një fytyrë, kjo do të ishte patjetër ajo e Giovanni Brusca. Krahu i djathtë i Toto Rinos akuzohet për disa nga vrasjet më të bujshme dhe të tmerrshme të viteve ‘90 në Itali, por sot, pas 25 vitesh, rikthehet praktikisht në liri.
Djalë i bosit të San Giuseppe Iato, Bernardo Brusca, një nga anëtarët më të respektuar të Cosa Nostra, me vdekjen e të atit Giovanni Brusca ngjiti shpejt shkallët e organizatës kriminale, duke u njohur veçanërisht për qasjen e tij të dhunshme, që tejkalonte shpesh herë edhe kodin kriminal të mafies.
Brusca ka pohuar, ndër të tjera pjesëmarrjen e tij aktive në atentatin që vrau magjistratin Giovanni Falcone në 23 majin e vitit 1992, bashkë me gruan e tij dhe tre policë, të mbuluar nga shpërthimi i 400 kilogramë eksploziv.
Por emri i tij ka hyrë në memorien e opinionit publik për një vrasje rrëqethëse, atë të Giuseppe Di Matteo, djalit 11-vjeçar të një mafiozi të penduar, i cili u shkri i gjallë në acid, siç ka pohuar vetë pasi filloi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Pikërisht “pendesa” e tij, që në fakt i ka lejuar drejtësisë italiane të kuptojë shumë nga struktura e Cosa Nostra, që më parë ishte pothuajse e panjohur, ka mundësuar për Brusca rikthimin në liri, edhe pse teknikisht ai do të vuaj edhe 4 vite të tjera lirie me kusht.
Vendimi ka shkaktuar shumë reagime në Itali, ku nuk mungojnë të indinjuarit, por ndër to spikat vlerësimi i motrës të Giovanni Facones, Maria. “Nga pikëpamja njerëzore është diçka që me shkakton dhimbje, por ky është ligji, dhe është një ligj që e ka ideuar dhe mbështetur vete vëllai im, dhe për këtë duhet respektuar”, tha ajo.