Pas 43 vjetësh kërkon falje që vodhi dy çokollata në dyqan
Një hajdut misterioz që vodhi dy pako çokollata në një dyqan në vitin 1975 – ka kërkuar falje me një letër dhe pesë funte.
Kërkim falja e shkruar me dorë i është dërguar Belle Vale Shopping Centre në Liverpool dhe sqaron vjedhjen e ndodhur 43 vjet më parë.
“Vodha dy çokollata nga Woolworths në dyqanin tuaj më 1975, kur unë isha djalë i vogël”, thuhet në letër.
“Kërkoj falje, nuk po di çka të ofroj më shumë, ja ku i keni paratë që ua kam pasur borxh prej atëherë”, thuhej në letrën të cilës i janë bashkuar edhe pesë funte, transmeton Koha.net shkrimin e The Mirror.
Woolworths nuk është më në funksion dhe qendra tregtare këto pesë funte do t’i dhurojë për bamirësi.
“Në kohë ndasie, është mirë të shohësh këso lloj mirësie që rikthen besimin te njerëzimi”, ka thënë një përfaqësues i dyqanit.
“Belle Vale Shopping Centre dëshiron të falënderojë dërguesin dhe ia pranon kërkim faljen. Është mesazh pozitiv që ia vlen të ndahet me të gjithë”, ka thënë ai.