Pas 90 ditësh në hapësirë, 3 astronautët kthehen në tokë
Është përmbyllur pa probleme faza e parë e ndërtimit të stacionit hapësinor kinez. Tre astronautët që qëndruan për 90 ditë atje zbritën me kapsulë në veri të Kinës pas mesditës.
Tre astronautë kinezë e mbyllën të premten me sukses misionin 90-ditor në hapësirë duke u rikthyer në Tokë.
Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo ishin nisur në muajin prill me objektivin për të ndërtuar stacionin hapësinor që do i shërbejë Kinës.
Ambientet pritëse të bazës u vunë pjesërisht në funksion në muajin qershor dhe astronautët që atëherë po jetonin pikërisht në këtë hapësirë me përmasat sa të një autobusi të madh.
Gjatë fluturimit rreth orbitës, ekipi kinez doli edhe në hapësirë për të testuar sistemin e oksigjenimit, krahun robotik të njërit modul të bazës dhe bënë gati furnizimet për misionet e ardhshme.
“Shenzhou-12” ishte i pari ndër 11 misionet që Kina ka planifikuar se i duhen për ta përfunduar stacionin e ri.
Përgjatë vitit 2021-2022 do të nisen gjithsej katër misione me njerëz.
Një kargo me ushqime dhe pajisje ndihmëse do lëshohet këto javë ndërsa në tetor do fluturojnë edhe grupi i radhës i astronautëve që do qëndrojnë 6 muaj.
Kina shpreson që stacioni i ri hapësinor të përfundojë në fund të 2022-it dhe se është detyruar ta ndërtojë pasi, me ligj, Agjencia amerikane e Aeronautikës dhe e Hapësirës nuk i ofron bashkëpunim dhe as mundësi që të zhvillojë misione në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar./oranews/