Pas aktakuzës për Thaçin e Veselin, reagon ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti
Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ndaj këtij lajmi ka reaguar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, politologu Bardhyl Mahmuti, i cili ka thënë se deklarata politike nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është dëshmi e pakontestueshme se Gjykata Speciale është gjykatë politike antishqiptare.
“Në këtë mënyrë, nëpërmjet të kësaj deklarate politike, ende pa filluar procesi gjyqësor, zyra e prokurorit të specializuar shpall vendimin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin si kriminel dhe paragjykon se “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë qenkëshin viktima të krimeve të tyre”!!! Ky qëndrim politik në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dëshmon se e ashtuquajtura gjykatë speciale nuk është asgjë tjetër pos një gjykatë politike antishqiptare!”, ka shkruar Bardhyl Mahmuti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Deklarata e plotë e tij në “Facebook”:
DEKLARATA POLITIKE NGA ZYRA E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR ËSHTË DËSHMI E PAKONTESTUESHME SE GJYKATA SPECIALE ËSHTË GJYKATË POLITIKE ANTISHQIPTARE!
Deklarata për shtyp e lëshuar më 24 qershor 2020 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për aktakuzën që ende nuk është miratuar nga Dhomat e Specializuara është pa precedent në praktikën e institucioneve të drejtësisë së pavarur dhe shkelje e rëndë e parimeve themelore të drejtësisë.
Parimi i parë dhe kryesor i drejtësisë që nuk është e varur nga politika qëndron në PARIMIN E SUPOZIMIT TË PAFAJSISË PËRDERISA NUK SHPALLET FAJTOR NGA GJYKATA.
Jo vetëm që nuk u prit vendimi i gjykatës, por ende pa u miratuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një deklarate politike, shpallë, ndër të tjera, me sa vijon:
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së duke ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake MBI VIKTIMAT E KRIMEVE TË TYRE, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”
Në këtë mënyrë, nëpërmjet të kësaj deklarate politike, ende pa filluar procesi gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Specializuar shpall vendimin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin si KRIMINEL dhe paragjykon se “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë qenkëshin VIKTIMA TË KRIMEVE TË TYRE”!!!
Ky qëndrim politik në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dëshmon se e ashtuquajtura Gjykatë Speciale nuk është asgjë tjetër pos një GJYKATË POLITIKE ANTISHQIPTARE!