Pas akuzave për Gjykatën Speciale, Mustafa ia përmend Veselit ShIK-un
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në një konferencë për medie i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit dhe të PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se LDK-ja është duke i fërkuar duart për shkak të Gjykatës Speciale, e cila ka ftuar në Hagë dy ish-komandantë të UÇK-së, të cilët janë pjesë e partisë së Veselit.
Mustafa ka thënë se Veseli duhet të veprojë si kryetar i Kuvendit dhe jo si shef i ShIK-ut.
Ai ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale ka qenë vullnet i Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të pastrohet lufta e UÇK-së.
“Është mirë që Veseli të veprojë mbi bazat e përgjegjësisë se tij si kryetar i Kuvendit dhe kryetar i një partie të rëndësishme në Kuvend dhe jo si shef i ShIK-ut, sepse logjikimi i tillë është më tepër logjikë e ShIK-ut se sa logjikë politike. Askush nuk i fërkon duart për njerëzit e vet që të shkojnë në gjykatë, e as për njerëzit e Kosovës. Por në qoftë se dikush ka bërë krime, ai duhet t’i fërkojë duart e veta, dhe jo duart e LDK-së”, ka thënë Mustafa, raporton “Epoka e re”.
Më tutje, Mustafa ka folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se LDK-ja nuk sheh asnjë arsye që t’i bashkohet ekipit negociator.
“Ne nuk shohim asnjë arsye që të bëhemi pjesë dekoruese e ekipit negociator. Qëndrimi i LDK-së ka qenë dhe mbetet se dialogun duhet ta zhvillojë Qeveria dhe përgjegjësinë për procesin e dialogut duhet ta merr një qeveri legjitime”, është shprehur Mustafa.
/Epoka e re/