Pas akuzave të PDK-së ndaj Gërvallës e Damkës reagon ‘Caritas Kosova’: Dikush ka përdorur emrin tonë
Dje në një konferencë për media, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrin Fikrim Damka, se përmes një marrëveshje të lidhur me “Caritas”-in, kanë keqpërdorur 1.1 milion euro.
Ministria e Zhvillimit Rajonal që drejtohet nga ministri Fikrim Damka dhe vetë Gërvalla kanë reaguar pas denoncimit të PDK-së, duke mohuar akuzat.
Ndërkohë sot ka reaguar organizata “Caritas Kosova” me seli qendrore në Ferizaj, duke u distancuar nga një zhvillim i tillë. Kjo organizatë ka sqaruar se nuk ka të bëjë fare me një gjë të tillë.
Nga kjo organizatë kanë thënë se janë organizata e vetme që njihet nga Kisha Katolike si organizatë humanitare dhe që ka legjitimitetin për të vepruar me këtë emër, dhe theksojnë se funksionimi i organizatave të tjera me të njëjtin emër në Kosovë është shkelje flagrante në reputacionin dhe emrin e “Caritas Kosova”.