Pas arrestimit të 48 avokatëve në Turqi, reagojnë ndërkombëtarët
Grupet turke dhe ndërkombëtare të avokatëve janë shprehur të shqetësuara rreth arrestimit të dhjetëra avokatëve në Turqi, duke thënë se ata kanë qenë duke e bërë punën e tyre gjatë përfaqësimit të klientëve të akuzuar për lidhje me rrjetin e Gylenit.
Zyra e prokurorit shtetëror në Ankara të premten lëshoi urdhër për ndalimin e 60 personave, përfshirë 48 avokatë dhe disa persona të tjerë të angazhuar në sistemin e drejtësisë, të cilët dyshohen për përkrahje të organizatës së klerikut Fetullah Gylen.
Një shoqatë në Stamboll i cilësoi këto arrestime si frikësim. Përmes një deklarate të lëshuar të hënën, shoqata njoftoi se dyshimet kanë të bëjnë me kryerjen e punëve të tyre si avokatë përfaqësues të klientëve të akuzuar për lidhje me Gylenin. “Avokati nuk mund të identifikohet me klientin e vet. Frikësimi me synim të kufizimit të detyrës së avokatit do të ndikojë të publiku po aq sa te avokatët dhe gradualisht do ta shkatërrojë besimin në drejtësi”, thuhet në deklaratë. Shqetësim lidhur me këto arrestime shprehu edhe Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve, duke thënë se arrestimi i avokatëve paraqet shkelje të obligimeve nga Turqia sipas ligjit ndërkombëtar, shkruan Reuters.