Pas arrestimit të drejtorit të urbanizmit, reagon Komuna e Gjilanit
Komuna e Gjilanit, përmes një komunikate për medie ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Urbanizmit, Valon Shefkiu duke shpreh keqardhje për gjuhën e tij ndaj gazetarit Musa Sabedinit.
“Në parim, Komuna e Gjilanit është kundër çdo lloj kërcënimi apo tendence për kërcënim ndaj çdokujt. Komuna, në krye të së cilën është Lutfi Haziri, respekton ligjin dhe rendin publik dhe njëkohësisht të gjithë ata që hetohen nga organet e drejtësisë deri në verdiktin përfundimtar, i cilëson si të pafajshëm sipas parimeve të drejtësisë”, thuhet në reagim.
Me anë të kësaj komunikate Komuna e Gjilanit, numëroi sukeset e saja përkatësisht të drejtorisë së Urbanizmit. “Drejtoria e Urbanizmit ka bërë punë jashtëzakonisht të mira së bashku me stafin në të mirë të qytetarëve të Gjilanit gjatë mandatit katër vjeçar, në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë. Komuna e Gjilanit përmes komunikatës tha se për katër vitet e mandatit të shkuar ka pasur bashkëpunum jashtëzakonisht të mirë dhe korrekt me të gjitha mediat dhe gazetarët e Republikës së Kosovës, sikurse edhe me gazetarin, Musa Sabedini dhe sipas tyre ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Policia në Gjilan mbrëmë ka arrestuar drejtorin e Urbanizmit në komunën e Gjilanit Valon Shefkiu. Mësohet se drejtori i Urbanizmit ka kanosur gazetarin Musa Sabedini pasi që në median e tij në këtë qytet ka publikuar një shkrim lidhur me punën e Shefkiut.