Pas betejës gjyqësore, rikthehen në vendet e punës 19 zyrtarët komunalë të Gjilanit
Janë rikthyer në vendet e tyre të punës 19 zyrtarët komunalë të Gjilanit. Kjo pasi Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin me të cilin ishin liruar nga akuza për korrupsion me tenderë dhe krim të organizuar.
Lajmin e ka bërë me dije Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.
“Turpi qoftë mbi secilin që orkestroi këtë proces të montuar politikisht. Hetues dhe prokurorë, akterë politik nga LDK-ja por edhe nga eksponentë të VV-së në Gjilan, të cilët inicuan dhe inskenuan një proces gjyqësor me aktakuza të shpifura, kundër 39 zyrtarëve më profesional në institucionet komunale dhe afaristëve tjerë të suksesshëm të Gjilanit”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje thuhet se PDK-ja dhe ish-kryetari i komunës Qemajl Mustafa ishin cak i sulmeve me akuza të pabaza për ta eliminuar politikisht, përmes fyerjeve e shpifjeve që buronin nga kryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i komunës Lutfi Haziri si dhe eksponentë tjerë nga LV-ja në Gjilan.
Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti e vlerësoi se dëmet dhe pasojat e kësaj maskarade politike dhe të sistemit gjyqësor janë të jashtëzakonshme dhe shumë dimensionale që i janë shkaktuar subjektit të tyre politik, institucioneve komunale, familjeve të zyrtarëve komunal, afaristëve dhe imazhit të qytetit të Gjilanit.
Këta janë zyrtarët komunalë të cilët sot u rikthyen në vendet e tyre të punës:
1. Agim Hoxha
2. Asllan Mustafa
3. Azem Mujku
4. Drita Kajtazi Bajrami
5. Enver Biqku
6. Fadil Osmani
7. Fatmir Halili
8. Ganimete Kastrati
9. Hamdi Ismajli
10. Hatixhe Daku
11. Heset Asllani
12. Merita Canaj Shabani
13. Muhamet Kastrati
14. Naser Sylejmani
15. Ramush Musliu
16. Selvije Shefkiu Mustafa
17. Shemsedin Qerimi
18. Qefsere Sadriu
19. Vehbi Geci