Pas Britanisë, ushtria ruse përplaset edhe me anijet ushtarake holandeze në Detin e Zi
Pas përplasjeve ushtarake detare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave ruse në detin Baltik të pak ditëve më parë, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në Detin e Zi, këtë herë me forcat ushtarake holandeze.
Lajmin e njofton Ministria e Mbrojtjes së Holandës, që deklaron se avionë uishtarakë rusë kanë kërcënuar disa herë fregatën “Evertsen” përgjatë këtij muaj, duke shkaktuar dhe disa ndërprerje në sistemet e komunikimit. Sipas Amsterdamit, forcat ruse kanë arritur të bllokojnë valët e komunikimit për rreth 5 orë duke “cënuar të drejtën e udhëtimit të lirë në det”, por edhe duke krijuar një situatë konfuzioni dhe pasigurie që mund të kishte shkaktuar përplasje dhe për pasojë një konflikt ndërkombëtar.
“Nuk kishte asnjë shkak për këto provokime në ujërat ndërkombëtare. Sulmet kanë qenë të përsëritura dhe kanë vazhduar disa orë, duke treguar papërgjegjshmërinë e Rusisë që na shpie në prag përplasjeje në det”– ka thënë George Pastoor, kapiteni i njërit prej anijeve ushtarake holandeze.
Kujtojmë se pak ditë më parë disa anije britanike që po udhëtonin drejt Sevastopolit të Ukrainës u hasën me kërcënime nga Rusia se do të “bombardoheshin në rast se nuk largoheshin”, madje edhe nga disa të shtëna paralajmëruese në ajër, çka ka nxitur reagimin e komunitetit ndërkombëtar për të dënuar sjellet e papërgjegjshme dhe agresive të Rusisë, që duket se nuk ka ndryshuar qasjen ushtarake edhe pas samitit bilateral Putin-Biden në Gjenevë.