Pas Çitakut edhe Cana dhe Avdiu do ta respektojnë kërkesën e Konjufcës

04 mars 2020 | 11:03

Pasditen e së martës, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i propozoi Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i kthejë shtatë ambasadorë nga shërbimi në mision diplomatik.

Është ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana i cili ka thënë se do ta respektojë këtë thirrje, ndonëse gjithçka varet nga Presidenti, nëse do ta pranojë kërkesën e Qeverisë ose jo.

“Patjetër që do ta respektoj këtë kërkesë. Ka vetëm disa procedura të vogla për kthim. Unë nuk kam çfarë të kërkoj më këtu”, ka thënë Cana në një prononcim për “klankosova.tv”.

“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat mandati im mbaron dhe do të kthehem”.

“Në momentin që nuk e kam më besimin e ministrit unë nuk kam çfarë të kërkoj këtu”.

Cana e ka cilësuar si të padinjitetshme mënyrën e kërkesës së Glauk Konjufcës për kthimin e tij dhe gjashtë kolegëve të tij anembanë botës.

“Ministri ka të drejtë që ta kërkojë  tërheqjen e çdo diplomati. Megjithatë është e padinjitetshme dhe një precedent i keq për të ardhmen”.

“Mendoj se duhet pasur kujdes kur është puna te niveli i ambasadorit dhe të shikohet me kujdes nëse kjo formë është në përputhje me dinjitetin e një shteti. Ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës dhe çdo lëvizje e pamatur mund të na kushtojë në raportet ndërshtetërore”.

“Mënyra si po bëhet linçimi publik duke i trajtuar ambasadorët në nivel jo të duhur, më shumë duket se është bërë të bëhet lajm medial sesa vendim në shërbim të përmirësimit të shërbimit të jashtëm”.

Ngjashëm ka thënë se do të veprojë edhe Ramadan Avdiu, konsull në Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë të Zvicrës.

“Kthimi im është në dorën e Presidentit, mirëpo unë këtu punoj për Qeverinë. Në këtë situatë nuk mbetet tjetër përpos për t’u kthyer”, ka thënë Avdiu për “klankosova.tv”.

“Do ta respektoj kërkesën e ministrit Konjufca nëse ai e ka paraparë këtë. Kërkesa për kthimin tonë siç është bërë nuk më ka pëlqyer dhe është politike”.

“Unë për sa do të jem në Gjenevë do ta ndihmojë të emëruarin e ri që do të vijë në këtë pozitë”.

E para që ka thënë që dje se do ta respektojë vendimin e Qeverisë, është Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”.

“Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë”, është shprehur dje Çitaku përmes një postimi në “Facebook”.

“Klan Kosova” ka provuar që të marrë edhe përgjigje nga ambasadorët tjerë emrat e të cilëve kanë figuruar në listën për kthim të kryediplomatit Glauk Konjufca por që nuk ka arritur të marrë përgjigje prej tyre.

Ministri Konjufca dje ka kërkuar tërheqjen e këtyre ambasadorëve:

Vlora Çitaku
Edon Cana
Lirim Grejçevci
Shpend Kallaba
Mimoza Ahmetaj
Ylber Hysa
Ramadan Avdiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mehmet Hajrizi 1 Ky publikim është një protestë dhe akuzë…