Pas deklaratave të kryeministrit Kurti, reagon BSPK-ja: Ndërhyrja dallon prej kërkesës
Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se është mirë të ndërrohen kryetarët e sindikatave, ka reagur BSPK-ja.
“Qeveria si partneri social kryesor i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do të duhej të ndërhyjë në funksionimin sindikal, njëjtë siç kujdeset edhe organizimi sindikal të mos ndërhyjë në funksionimin e Qeverisë”, është thënë në reagimin e BSPK-së, kryetar i së cilës është Atdhe Hykolli.
Sipas, BSPK-së, kërkesat e drejta dhe legjitime të organizatave sindikale nuk janë ndërhyrje në punën e qeverisë por janë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve.
Reagimi i plotë i BSPK-së:
Organizimet sindikale në Republikën e Kosovës janë organizime të bazuara në ligjet ekzistuese. Janë të themeluara dhe funksionojnë po me ligjet e Republikës së Kosovës.
Qeveria si partneri social kryesor i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do të duhej të ndërhyjë në funksionimin sindikal, njëjtë siç kujdeset edhe organizimi sindikal të mos ndërhyjë në funksionimin e Qeverisë.
Kërkesat e drejta dhe legjitime të Organizatave sindikale nuk janë ndërhyrje në punën e Qeverisë por janë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve.
Bashkëpunimi midis partnerëve socialë duhet të jetë parimor dhe i drejtë e mbi të gjithë ligjor.
Ndërhyrja dallon prej kërkesës.
Deklarata e Qeverisë është ndërhyrje e kërkesat sindikale janë në mbrojtje të të drejtave. Të kërkohet përshpejtimi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk është ndërhyrje po është kërkesë e drejtë.
Dhe të mos harrohet se një sistem demokratik dhe tejet ligjor përcakton funksionimin e organizimeve sindikale, ku përfshihet edhe zgjedhja e atyre që udhëheqin dhe përfaqësojnë këto organizime si të përzgjedhur legjitim të atyre që përfaqësohen – sindikalistë anëtarë të organizimeve sindikale.