Pas dënimit të Salih Mustafës, reagon Prokurori i Speciales

16 dhjetor 2022 | 12:25

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale të Kosovës, Alex Whiting, ka mirëpritur vendimin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, duke e konsideruar atë si “masë që u jep drejtësi viktimave”.

Kjo gjykatë që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por e ka selinë në Hagë, e ka dënuar Mustafën me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”, ka thënë Whiting.

Në një komunikatë për media, Whiting është cituar të ketë thënë se “dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik te aktgjykimi”.

“Unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” ka thënë ai.

Sipas tij, krijimi i Gjykatës Speciale u ka mundësuar viktimave që të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.

Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka shtuar Whiting, ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.

“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”, citohet të ketë thënë Whiting.

Aktvendimi ndaj Salih Mustafës është i pari i kësaj gjykate lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe do të mbyllet Kampionati…