Pas dhjetë vitesh fshati Zasellë fillon të furnizohet me ujë të pijshëm
Si rezultat i mobilizimit të qytetarëve nën asistencën e KDI-së, në fshatin Zasellë, me afërsisht 300 banorë, është finalizuar projekti për furnizimin e fshatit me ujë të pijshëm.
Në viti 2008-2009 në fshatin Zasellë kishte filluar projekti për furnizim me ujë të pijshëm. Në atë kohë punimet për ujë të pijshëm janë zhvilluar me intensitet të ulët dhe pastaj janë pezulluar. Ndërkaq banorët e këtij fshati për dhjetë vite me radhë kanë parashtruar kërkesa për vazhdimin dhe përfundimin e projektit në fjalë.
Krahas kërkesave të vazhdueshme të kryesisë së fshatit Zasellë, kjo çështje është diskutuar edhe në dy takime të mbajtura mes qytetarëve dhe zyrtarëve komunal të organizuara nga KDI-ja; njëra në tetor të vitit 2018 dhe tjetra në muajin gusht të vitit 2019.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës së Jugut, në takimin e mbajtur në tetor të vitit 2018 pati premtuar që do ta trajtoj me prioritet çështjen e furnizimit me ujë të pijes dhe se gjatë vitit 2019 do ta finalizojë këtë projekt.
Përgjatë kësaj kohe, KDI-ja duke kontaktuar me zyrtarët përgjegjës komunal është interesuar vazhdimisht për kohën e rifillimit të projektit për furnizim me ujë të pijshëm për fshatin Zasellë.
Si rezultat i takimeve dhe mobilizimit të qytetarëve në pranverën e vitit 2019 institucionet përgjegjëse bënë hapin e parë dhe rifilluan punimet e lëna në gjysmë për më shumë se dhjetë vite më parë. Ndërsa në muajin dhjetor, është finalizuar projekti për furnizimin me ujë të pijshëm.
/Epoka e re/