Pas djegies së fabrikës së plastikës në Qendrën e Biznesit në Drenas, reagon Lladrovci
Pas shpërthimit të zjarrit në Fabrikën e Plastikës, në Qendrën e Biznesit Drenasi I, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se ka aktivizuar Shtabin emergjent të komunës së Drenasit.
“Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit. Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera”, ka thënë ai.
Lladrovci ka treguar se në përkrahje të zjarrfikësve të Drenasit, kanë arritur edhe njësitë tjera zjarrfikëse nga Malisheva, Skenderaj, Lipjani e Prishtina.
“I falënderoj për shpejtësinë e reagimit. Zjarri ka përparuar shumë shpejtë sepse ka erë e cila po e ndihmon përhapjen e flakëve dhe lënda e parë që po digjet. Kam shprehur keqardhje për pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues”, është shprehur ai.
Lladrovci ka thënë se tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit, Skenderajt e deri në Mitrovicës, dhe sipas tij, po ashtu është katastrofë ambientale me ç’rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po iu shkaktohen.