Pas dyfishimit të pagave, qytetarët presin angazhim më të madh nga gjyqtarët
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kanë vizituar Gjykatën Themelore në Prizren, ku janë pritur nga kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha.
Ministri Tahiri ka kërkuar me shumë përgjegjësi, pas dyfishimit të pagave dhe rritjes së numrit të gjyqtarëve e prokurorëve, që do të bëhet në pajtim me kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Sot gjyqtari i Republikës së Kosovës është një njeri me dinjitet, i cili ka pagën më të mirën në rajon dhe me të drejtë qytetarët presin një angazhim më të madh. Në fund të 2018-s, ne do të jemi të gjithë bashkë dhe shpresojmë se do të kemi rezultate të prekshme në luftë kundër krimit, në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër së keqes dhe dukurive negative”, ka deklaruar Tahiri.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK-së), Nehat Idrizi, ka shprehur përkushtimin që viti 2018, të jetë vit i sundimit të ligjit.
“Ky vit do të jetë vit i sundimit të ligjit, do të rrisim transparencën, llogaridhënien, efikasitetin dhe performancën e gjyqësorit”, ka premtuar ai.
Ndërsa, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, është shprehur i kënaqur me mbështetjen që mori në shtimin e numrit të të punësuarve dhe zgjerimin e hapësirave të punës.