Pas Ferizajt, edhe dega e GUXO në Pejë shpreh pakënaqësi
Kryesia e Partisë GUXO, dega në Pejë, ka lëshuar një deklaratë pas mbledhjes së mbajtur më 10 dhjetor 2024, duke shprehur shqetësimin për vendimet që lidhen me zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
Në njoftim theksohet se, megjithë suksesin e treguar nga dega në Pejë në zgjedhjet e kaluar dhe përfaqësimin e dy asamblistëve në Kuvendin Komunal, disa veprime të kryesisë qendrore janë konsideruar si pengesa për zhvillimin e degës.
Në deklaratën e GUXO në Pejë thuhet: “Edhe përkundër një fakti të tillë, duket se organizimi, suksesi, masovizimi dhe konsolidimi i degës mund të kenë penguar oponentët në kryesi, të cilët për fat të keq tani janë shpërfaqur dhe janë evidente”.
Kryesia e degës ka shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën e emërimit të kandidatëve për zgjedhje.
Ata pohojnë se ishte vendim i “Donikës dhe Fatonit” që të përzgjidhnin kandidatët pa u konsultuar me anëtarët e kryesisë të degës, duke shkelur kështu statutin e partisë dhe duke injoruar mendimin e anëtarëve.