Pas fitores së betejës gjyqësore, Telekomi përgatitet për privatizim
Qeveria e Kosovës ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë “Axos-Capital”, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke shtuar se edhe shpenzimet e procesit do të paguhen nga kompania ‘Axos’.
“Tribunali i Arbitrazhit ka vendosur në favor të Kosovës për rastin e privatizimit të Telekomit të Kosovës duke obliguar ‘Axos’-in, t’i paguajë të gjitha shpenzimet e gjithë këtij procesi me një vlerë prej rreth 2 milionë dollarësh”.
“Më në fund, Kosova në këtë rast triumfoi pasi që me të vërtetë ka qenë një ngarkesë e tepërt, duke mos lejuar zhvillimin e Telekomit, mirëpo as tërheqjen e investitorëve të huaj, në rast të privatizimit të Telekomit”, ka thënë Lluka.
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar, siç ka thënë ai, fitoren e shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë “Axos”.
Në një postim në llogarinë e vet në “Facebook” presidenti Thaçi ka shkruar se Kosova gjithmonë do t’i mirëpresë investimet e huaja, por asnjëherë nuk lejojmë të keqpërdoret si shtet. “E drejta dhe të gjitha argumentet në rastin e padisë së ‘Axos-it’ ishin në favorin tonë”, ka shkuar Thaçi.
Kompania “Axos – Capital” kishte bërë padi në adresë të Qeverisë së Kosovës, për arsye, siç thuhej, të moszbatimit të kontratës së privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.
Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë “Axos – Capital” me një vlerë prej 277 milionë eurosh.
Por, ky proces kishte mbetur i papërfunduar për shkak të mospajtimeve në Kuvendin e Kosovës, çka ishte pasuar me padinë e “Axos”-it ndaj Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht, Telekomi i Kosovës gjendet në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë, pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë eurove.
Por, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, sipas ministrit Lluka, do të lehtësojë të ardhmen e Telekomit, në mënyrë që të fillohet procesi i përgatitjes për privatizim.
Ai ka thënë se një nga pengesat e deritashme për përgatitjen e procesit të privatizimit të Telekomit, ka qenë kontesti në mes kompanisë “Axos” dhe Qeverisë së Kosovës dhe nevoja për një ristrukturim në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani.
“Tashmë pengesa e parë përfundoi, kurse e dyta është në proces e sipër. Me bordin kemi qenë në bisedime. Anëtarët e Bordit kanë ardhur me disa propozime për ristrukturim të Telekomit, të cilat jemi duke i shikuar dhe besoj se shumë shpejt do të marrim vendime si Qeveri në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani, për të plotësuar edhe kushtin e dytë”, ka theksuar Lluka.
Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike e kanë quajtur proces të vështirë rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës. Eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se menaxhimi jo i mirë, e ka sjellë këtë kompani para falimentimit.
“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit e shpëton PTK-në nga një ngarkesë shtesë financiare. Por, Telekomi është para falimentimit me numër të madh të punëtorëve, me nepotizëm dhe klientelizëm. Fitimet e kësaj kompanie nuk janë investuar në teknologji bashkëkohore. Kështu që, aktualisht është vështirë për të ringjallur dhe rifreskuar Telekomin”, ka thënë Kastrati.
Sidoqoftë, synimi i Qeverisë së Kosovës është që procesi i privatizimit të Telekomin të fillojë pas dy vjetëve.