Pas gjobave të rënda Wimbledoni hap dyert për tenistët rusë e bjellorusë
Organizatorët e grand slam të Wimbledonit, turneu më i vjetër i tenisit dhe më i rëndësishmi i fushave me bar, është gati t’i hapë dyert për tenistët rusë e bjellorusë.
Këta të fundit nuk u lejuan të marrin pjesë këtë vit në turneun londinez si pasojë e sanksioneve që u morën nga Britania e Madhe pas luftës në Ukrainë. Ky vendim u pasua me masa të rënda nga ATP dhe WTA, që secila gjobiti me 1 milion euro Wimbledonin (ka apeluar vendimin), ndërkohë që tenistët pjesëmarrës nuk morën asnjë pikë. Për të evituar që situata të përkeqësohet, organizatorët janë gati të ndryshojnë mendje dhe t’i lejojnë tenistët rusë e bjellorusë të luajnë.
Vendimi nuk është marrë ende, por organizatorët kanë ende kohë për t’i studiuar mundësitë, ndërkohë që presin një “dritë jeshile” edhe nga qeveria britanike. Gjithsesi, tenistët nga Rusia e Bjellorusia do të lejohen të luajnë, por si neutralë, pa pasur mundësi të garojnë për vendet e tyre, siç ndodh në turnetë e tjerë.