Pas Juventusit nën hetim përfundon dhe Interi
Skandali i financave të klubeve të Seria A është zgjeruat në Itali.
Pas Juventusit, nën akuzë është edhe Napoli për çështjen e transferimit të Osimhen, por lista nuk përfundon me kaq. Klubet e Serisë A që kanë tentuar të rregullojnë financat në mënyrë fiktive janë të shumta.
Në hulumtimin e gazetës “La Repubblica” dalin edhe emra skuadrash të cilat janë përfshirë në skandal. Mes tyre janë Genoa, Atalanta, Sampdoria dhe Interi. Të gjitha të dyshuara se kanë kryer parregullsi.
Genoa për operacionet me Juventusin figuron se ka qarkulluar 123 milionë euro në transferimet e lojtarëve, nga të cilat vetëm 25 milionë janë derdhur realisht në arkat e klubit. Pjesa tjetër janë shkëmbime që janë kompensuar si qarkullim parash.
Juventusi ka shpenzuar 74 milionë euro për të afruar nga kuqeblutë disa lojtarë, të cilët janë aktivizuar vetëm në 14 ndeshje të kampionatit.
Genoa ka realizuar bashkëpunime të tilla edhe me Interin, me shitblerjen e tre lojtarëve për një total prej 78 milionë eurosh, nga të cilat realisht janë shpenzuar vetëm 5 milionë.
Emrat janë të njëjtët: Radu, Pinamonti dhe Vanheusden. Pjesë e sistemit të mashtrimit janë edhe Atalanta me Romero dhe Sampdoria me Audero e disa të rinj.