Pas kallëzimit penal ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, Prokuroria thotë se do të analizohen veprimet e prokurores së rastit

06 mars 2024 | 11:37

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është duke e përcjell me vëmendje debatin e zhvilluar në opinionin publik lidhur me çështjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, duke njoftuar se ka pranuar kallëzim penal privat kundër L.M. nga pala e dëmtuar D.M.

“Andaj, njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të Kallëzimit penal, për të cilën Prokurori i Shtetit ka obligim ligjor të trajtoj dhe sqaroj të gjitha rrethanat të cilat pretendohen nga palët e përfshira në proceset që zhvillohen para Prokurorit të Shtetit. Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin. Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lirim Mehmetaj në reagimin e tij ka theksuar se “Vetëvendosja kriminale po më akuzon për ‘nxitje të përçarjes dhe mosdurimit’.

“Pushteti kriminalo-banditesk i Albin Kurtit që e pengon prokurorinë me hap rast për Martin Berishajn e ndërhynë për fajdexhi qysh është rasti i vëllait të zëvendës-ministrit të drejtësisë, e nuk e dënon Glauk Konjufcën përkundër se e pranon fajësinë, paska vendos të më përndjek mua. Fatmirësisht, rastësisht mora vesh që është hapë ky rast edhe shkova vetë me marrë në Postë thirrjen, se askush s’ma ka sjellë në shtëpi e as nuk ma kishin sjellë derisa do të kalonte afati i paraqitjes. Me siguri për të krijuar ndonjë tip drame të arrestimit. Qeveria e Vetëvendosjes që s’lë kë pa e akuzuar në bazat më të ndyta, e direktuar nga njerëz si Dejona Mihaili, pasi kanë provuar krejt çka është e mundur për të gjetur diçka për mua, e normalisht s’kanë gjetur gjë, po provojnë nëpërmjet rrugëve institucionale me bo përndjekje politike. Në rregull është, politikisht u përgjigjem edhe unë, veç kush është ai prokuror a prokurore që i anashkalon gjithë sulmet, kërcënimet, fryrjet, ofendimet, shantazhet, manipulimet, keqtrajtimet, abuzimet, shpifjet, përgojimet që i bënë Lëvizja Vetëvendosje, edhe vendos të merret më mua në këtë formë”, ka shkruar Mehmetaj në “Facebook”.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke theksuar se ka pranuar me shqetësim të madh njoftimin nga gazetari i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, për thirrjen që i është bërë si i pandehur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Në thirrjen për paraqitje më 7 mars, Mehmetaj është ftuar si i pandehur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga Neni 141 i KPR-së. Derisa AGK është në pritje të informacioneve zyrtare, thirrja e tillë ndaj një gazetari është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova. AGK-ja, do të kërkojë informacionet zyrtare dhe do ta ndjekë nga afër të enjten këtë zhvillim të pashembullt të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, është thënë në reagimin e AGK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do t’i votojë marrëveshjet…