Pas katër ditësh i zhdukur, gjendet mërgimtari, policia jep informacione
Pas katër ditësh si i zhdukur, para pak minutash policia ka konfirmuar gjetjen e mërgimtarit me prejardhje nga Kaçaniku.
Mërgimtari që jeton në Austri është gjetur në magjistralen Kaçanik-Ferizaj, përkatësisht në një restaurant.
I njëjti kishte ardhur për pushime në Kosovë, ndërsa familjarët e tij nuk kanë ditur asgjë për vendndodhjen e tij, pasi kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer.
Lajmin për gjetjen e tij e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës në Policinë Rajonale të Ferizajt.
“Rreth orës 13:42 në magjistralen Kaçanik-Ferizaj,është gjetur personi në fjalë, qytetarët e kanë njoft, policia e kanë marrë e kanë dërgu në stacion, por fillimisht e kanë dërgu në qendrën ambulantore me shiku a e ka gjendjen mirë pastaj me intervistu”, ka thënë Veseli për “Express”.
I pyetur nëse mërgimtari ishte me ndonjë person gjatë kohës sa u gjetë, Veseli ka thënë “paska qenë edhe një familjar i tij, por nuk dihet saktë”.
Ai ka shtuar se mërgimtari është parë në gjendje të mirë shëndetësore, por sipas praktikës zakonisht personat e lajmëruar si të zhdukur fillimisht zhvillojnë një kontroll mjekësore.
Për zhdukjen e tij ka njoftuar sot policia me anë të raportit 24-orësh, teksa arsyet e largimit nga shtëpia mbeten akoma të panjohura.
Sipas polcisë, ai ishte larguar nga shtëpia me datën 1 shtator.