Pas Konferencës së Dejtonit, Millosheviqi u bë militarist, edhe më i tërbuar, diktator dhe vrasës! (12)

24 dhjetor 2024 | 11:55

Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi nga Fushë – Kosova në Hagë (12)

Shkruan: Prof dr. Agim ZOGAJ

Nën propagandën e Millosheviqit, serbët kërkonin gjak dhe armë

Me tu kthyer nga Dejtoni menjëherë i kishte ndërruar një numër jo të vogël të bashkëpunëtorëve të tij për të cilët kishte krijuar bindjen se nuk pajtoheshin me te. Sidomos i kishte vënë nën thumb të kritikës dhe eliminimit politik ata politikaj serbë të cilët ishin të mendimit se nuk e kishte me të drejtë që i jepte aq shumë, pushtet gruas së tij në proceset politike, cila në fakt nuk kishte kurrfarë legjitimiteti zgjedhor nga qytetarët. Ishte e qartë se konfrontimi politik ishte metodë e tij e përhershme e veprimit politik. Por ai në këtë veprim politik për eliminimin e konkurrenteve politik dhe vënien e një kontrolli në çështjet kuadrore e kishte zgjeruar edhe jashtë Serbisë. Në rastin e Kosovës, kur ai vlerësonte se ndonjë politikan shqiptar duhet të largohet nga posti, atëherë ajo ishte çështje e kryer. Mjaftonte të shkruante shtypi serb kundër ndonjë politikani shqiptar dhe ajo ishte shenja më e mirë se Serbia, përkatësisht regjimi i Millosheviqit po përgatiste spastrime. Kjo lojë politike pa kufij, të cilën e diktonte vet Millosheviqi me bashkëpunëtorët e tij si politik, shtetëror, ashtu edhe ata nga radhët e ushtrisë e policisë sekrete, dëshmohet edhe me rastin e shkarkimit nga detyra të brezit të dytë të udhëheqësve shqiptarë si Azem Vllasi, Kaquasha Jashari, Ekrem Arifi e shumë të tjerë. Kurse rasti më i mirë i cili dëshmon arrogancën e Millosheviqit në këtë plan, pra sa u përket politikajve serbë, është ai i Milan Babiqit nga Krahina Serbe në Kroaci dhe i Radovan Karagjiqit nga Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Sa i përket Milan Babiqit, dihet se ai si kryetar i Qeverisë së Krahinës Serbe kishte dhënë rezistencë ndaj qëndrimeve politike të Millosheviqit në lidhje me statusin e serbeve në Kroaci, prandaj Millosheviqi kishte dhënë deklaratë zyrtare në të cilën ishte kërcënuar se deri sa të mos zgjidhet udhëheqja e re e Krahinës Serbe të Kroacisë, ai e ndërprenë çfarëdo bashkëpunimi me udhëheqjen aktuale. Më vonë, përmes manipulimeve të ndryshme politike e kishte realizuar ndryshimin kuadror në Krahinën Serbe të Kroacisë.
Sa i përket ndërkaq Radovan Karaxhiqit, atëherë kryetar i Republikës serbe në Bosnjë e Hercegovinë, dihet se ai kishte refuzuar Planin e Sajrus Vensit sa i përket Bosnjës, për të cili plan ishte angazhuar personalisht edhe vet Millosheviqi. Më pas, në shenje hakmarrje për mosdëgjueshmrinë e Karaxhiqit, Millosheviqi e kishte organizuar satanizimin e tij. Në të vërtetë pasi Karaxhiqi më në fund ishte detyruar që të nënshkruaj se më nuk do të merrej me politikë, Millosheviqi në Dejton kishte pranuar autorizimet e Tribunalit të Hagës për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kështu kishte krijuar mundësi që të akuzohet Karagjiqi për krimet e luftës.
Në hakmarrjet politike, Millosheviqi ishte i pa kompromis dhe deri në fund konsekuent, pavarësisht reprekusioneve për kundërshtarin. Në këtë kontekst, rasti i likuidimit të Ivan Stamboliqit (tetor 2001) me urdhrin e Millosheviqit dhe në bashkëpunim me grupet paramilitare serbe më së miri ilustron natyrën, karakterin hakmarrës dhe vrastar të tij. Ishte pikërisht Ivan Stamboliqi ai i cili ia kishte dhënë shansin Millosheviqit për të filluar karrierën politike nga një ekonomist banke, për ta zgjedhur disa vite më pas në vend të tij kryetar i KQ të LK të Serbisë, kurse Millosheviqi i frikësuar se do të mund ta rrëzonte nga pushteti kishte urdhëruar likuidimin e tij fizik.
Njohësit e mirë të personalitetit politik të Millosheviqit, në radhë të parë bashkëpunëtorët e tij dikur më të afërt, kishin pasur të drejtë kur kishin konstatuar se për Millosheviqin nuk ka ekzistuar asgjë më e fuqishme, më e rëndësishme se sa instinktit për t’u ngritur dhe për tu mbajtur në pushtet, kuptohet me çdo çmim. Sa për ilustrim e marrim rastin e një episodi me ofertën që atij i ishte bërë për t’u tërhequr nga politika, nga pushteti, kurse si kundërshpërblim Jugosllavisë së atëhershme t’i hiqeshin sanksionet e KS të OKB-së. Ofertën e tillë, ai e kishte hedhur poshtë, pa u menduar gjatë por duke pasur në plan të parë karrierën e tij.

Xhejms Bejker/ 1992/, kërkonte që kryeministri serb, Milan Paniqi ta largonte Millosheviqin

Në të vërtet në maj të vitit 1992 Milan Paniqi kishte qëndruar në Varshavë në Konferencën e rregullt për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe me atë rast kishte pasur një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Xhejms Bejker. Bejker, me atë rast i kishte ripërsëritur Paniqit, atëherë kryetar i Qeverisë federative jugosllave se të gjitha zgjidhjet e problemeve të Jugoslavisë dhe Serbisë ndërlidhen me kërkesën që të mënjanohet Sllobodan Millosheviqi nga politika. Kjo, sepse, sipas vlerësimeve të Qeverisë amerikane, Millosheviqi konsiderohej si organizator kryesor i konflikteve në hapësirën e Jugosllavisë. Borisav Joviqi, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviqit, deri pas Konferencës së Dejtonit e kishte pyetur Milan Paniqin se çfarë do të kishte fituar me këtë populli serb. Paniq i ishte përgjigjur se menjëherë do t’i ishin hequr sanksionet Jugosllavisë. Paniqi kishte insistuar te Joviqi që ky i fundit t’i përcillte këtë kërkesë të Bejkerit, personalisht Millosheviqit, ndonëse vet Joviqi në atë kohë këtë kërkesë amerikane e kishte vlerësuar ngjashëm si Millosheviqi, pra, politikë e koalicionit antiserb.
Gjatë takimit me Millosheviqin, Joviqi ia kishte prezantuar këtë propozim ofertë amerikane, ndërkohë që Millosheviqi e kishte kërkuar mendimin e Joviqit lidhur me këtë. Ky i kishte thënë se nëse unë do të isha në vend teje do të kisha pranuar lojën amerikane, mirëpo së pari do ta kisha kushtëzuar me garancit e dhëna me shkrim nga KS i OKB-së ku do të saktësohej se do të hiqeshin sanksionet, nëse Millosheviqi tërhiqet nga funksioni.
Millosheviqi i ishte përgjigjur Joviqit se e tërë kjo ofertë është joserioze dhe madje kishte thënë se Paniqi gënjen sikur vërtet ka premtimin e tillë amerikan. Thjesht, Millosheviqi kishte deklaruar se duhet harruar atë bisedë dhe duhet të merremi edhe më tej me punën tonë. Edhe ky rast ilustron se instikti i Millosheviqit, si diktator për pushtet ishte mbi interesat nacionale serbe, pra ai nuk e lëshonte postin e tij, karrieren e tij as me kushtin e heqjes së sanksioneve ndaj shtetit të tij. Nga ana tjetër, sa herë që i rrezikohej pushteti, ai përdorte edhe forcën ushtarake e policore për t’i ruajtur pozitat, pra edhe kundër popullit të vet. Është i ditur rasti i intervenimit të ushtrisë jugosllave ndaj qytetarëve të Beogradit në pranverë të vitit 1991, kur ata kishin dalë në demonstrata nëpër rrugët e kryeqytetit serb. Nga ana tjetër, qëndrimi i prerë i Millosheviqit që të mos lëshoj pe në rastin e Kosovës, as pas kërcënimeve dhe ultimatumeve për sulme ajrore të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, është dëshmi e mjaftueshme se ai ishte zhytur thellë në botën e vet prej diktatorit.
Në akuzat që i bënte Kushtetutës së vitit 1974, Millosheviqi si burim gjoja te pabarazisë kushtetuese – juridike të Serbisë, vazhdimisht potenconte heqjen e autonomisë së Kosovës që sipas tij ishte kusht i rivendosjes së sovranitetit mbi Kosovën. Pas rrëzimit me dhunë të autonomisë së Kosovës, në mbledhjen e 23 marsit të vitit 1989 të Kuvendit të Kosovës, Republika e Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit, më 28 mars të njëjtit vit vendosi sovranitetin e plot mbi Kosovën. Në fjalimin e tij të mbajtur në mbledhjen solemne të Kuvendit të Serbisë, Millosheviqi kishte deklaruar me mburrje se, Serbia më në fund e vendosi sovranitetin e vet në tërë territorin e saj, duke mos përmendur me asnjë fjali mënyrën, metodat e dhunës të cilat Qeveria serbe, e përkrahur edhe nga Qeveria jugosllave i përdori për të vendosur “sovranitetin e dhunshëm” mbi Kosovën. Millosheviqi, si dikur Hitleri, në ato vite kishte pushuar së luajturi rolin e politikanit, oratorit dhe demagogut. Ai u bë militarist që drejtonte gjithçka nga shtabi i ushtrisë dhe policisë sekrete. Millosheviqi ngjashëm si Hitleri më nuk përpiqej ti bënte tjerët për vete, por në radhë të parë e përdorte forcën dhe terrorin. Udhëheqja e Kosovës, por jo edhe populli i saj, e nënshtruar para dhunës serbe, kishte pranuar të nënshkruante kapitullimin duke pranuar edhe vlerësimin politik se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë! Me këtë akt, të rivendosjes me dhunë e gjak të ” sovranitetit” pushtues serb mbi Kosovën, pra në mars të vitit 1989, u hapen frontalisht portat e ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Millosheviqi i trimëruar nga triumfi gjakatar në Kosovë, më pas iu versul popujve tjerë në ish Jugosllavi dhe paralajmëronte fillimin e luftës me sloganin e tij të njohur : “Serbia ose do të jetë ose nuk do të jetë”! Edhe kësaj radhe, Millosheviqi frymëzohej nga konstatimi i Hitlerit shkruajtur në veprën e tij, “Mein Kampf” se: “Do të paraqesë një pretekst propagandistik për fillimin e luftës, pavarësisht nëse është i besueshëm apo jo. Fitimtari nuk pyetet nëse ka thënë të vërtetën apo jo. Ajo që ka rëndësi në fillimin e një lufte nuk është e drejta por fitorja. Harrojeni mëshirën… I forti ka gjithmonë të drejtë. Ashpërsi të shkallës më të lartë”. Populli në Serbi i rënë në delirium të nazizmit popullist serb, nën udhëheqjen e vozhdit Millosheviq, kërkonte gjak dhe armë. Prapa këtyre thirrjeve që dëgjoheshin nëpër mbledhjet e institucioneve shtetërore e partiake serbe, por edhe nëpër mitingje, qëndronte kush tjetër pos vetë Millosheviqit, i cili ishte i vendosur që edhe me çmimin e luftës, gjakut dhe varreve, të realizonte ëndrrën e vjetër serbe për “Serbinë e Madhe”. Tradita dhe mitet ishin shfrytëzuar dhe keqpërdorur në mënyrë primitive nga regjimi Millosheviqian që personifikonte politikën serbe në vitet e tetëdhjeta dhe të nëntëdhjetat. Elita nacionaliste serbe të gjithë fuqitë dhe mjetet e veta ia kishte lënë në duar njeriut të gabuar, i cili, besimin e tillë e kishte shfrytëzuar për mbrojtjen e pushtetit të vet e dhe ruajtjen e diktaturës. Fuqia e tij prej diktatori u ngrit dhe u rrit barabar me tragjedinë dhe disfatën e popullit serb, por, fatkeqësisht në radhë të parë me tragjeditë e mëdha që regjimi i tij dhe politika serbe i sollën popujve josllav të Jugosllavisë, ndër të cilët më së shumti na solli fatkeqësi ne shqiptarëve dhe myslimanëve të Bosnjës. Shtatë vjet pas këtyre thirrjeve dhe paralajmërimeve për luftë në ish Jugosllavi, lufta trokiti edhe në dyert e Kosovës sonë, për të filluar me rezistencën e armatosur heroike të familjes Jashari dhe për të mbaruar më 12 qershor të vitit 1999, me fitoren e madhe të UÇK-së dhe çlirimin definitiv të Kosovës nga sundimi i gjatë serb. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myrto Uzuni po kalon në formë të mirë me Granadën…