Pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Skenderaj, reagon Bekim Jashari
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në këtë komunë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pacientët janë nga fshati Burojë, lagjja Thaçi, dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.
“Të dashur qytetarë, bashkëvendës të komunës sonë. Sapo u informova nga Ministria e Shëndetësisë që fatkeqësisht në komunën tonë kemi dy raste me COVID-19. Pacientët janë nga fshati Burojë, lagjja Thaçi, dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Të dashur banorë të fshatit Burojë kërkoj nga ju që të mos lëvizni nga shtëpitë e juaja deri sa të marrim vendime si shtab emergjent për hapat e mëtutjeshëm. Të infektuarve ju uroj shërim të shpejtë! Të dashur qytetarë për çdo veprim do të informoheni me kohë! Ju lutem të qëndroni në shtëpi! Bashkë do t’ia dalim”, ka shkruar kryetari Jashari.
/Epoka e re/