Pas kthimit nga Haga, Konjufca tregon për gjendjen e drejtuesve të UÇK-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas vizitës në Hagë, ka treguar për gjendjen e drejtuesve të UÇK-së të cilët janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Gjykatën Speciale.
Konjufca ka thënë se të gjithë ishin mirë me shëndet, të fortë dhe me vullnet.
“Të gjithë i pashë. Janë mirë me shëndet, të fortë, me vullnet dhe shumë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat absolutisht nuk po ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili i shqyrton. Kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt”, ka thënë Konjufca në një deklaratë për medie.
Më tutje, Konjufca ka thënë se Gjykata Speciale nuk i është dukur fare e Kosovës.
“Ata janë të pakënaqur siç është krejt populli i Kosovës sepse aktakuza lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë”.
“Ajo gjykatë është aq e varur sa nuk m’u duk fare e Kosovës që është”, është shprehur Konjufca.
Konjufca për dy ditë me radhë është takuar në Hagë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, etj.