Pas kundërshtimit të qeverisë, Osmani do t’ia çojë Kuvendit propozimin për heqjen e tarifës ndaj ShBA-së: E kemi gati ligjin

14 prill 2025 | 16:59

Presidentja Vjosa Osmani shpreson se Kuvendi do të konstituohet nesër (e martë) dhe menjëherë pasi kjo të ndodhë, ajo ka njoftuar se do t’ia propozojë legjislaturës së re një ligj të ri për heqjen e tarifës së njëanshme të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ajo ka thënë se kundërshtimi nga qeveria për këtë propozim të saj “e dëmton Kosovën dhe e ka dëmtuar interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”. Ajo ka thënë se komunikimi i saj në platformën “X”, ka qenë “me institucionet amerikane” pas “këshillave dhe konsultimeve”.

“Ajo përgjigje ishte një dëm i madh për Kosovës, sepse Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën, në një moment kur për Amerikën ka qenë esenciale se kush është shteti i parë qe del me një propozim të tillë. Dhe unë kam qenë presidentja e shtetit të parë që kam dalë me atë propozim dhe ka qenë me rëndësi të dalim ne të parët”, ka thënë Osmani në një intervistë për “RTV21”.

“Fatkeqësisht”, ajo ka thënë se hapi është humbur “për shkak të kundëreagimit” nga qeveria, i cili ka thënë se është bërë “me mungesë të njohurive bazike se si funksionon kushtetuta dhe si funksionojnë institucionet e Kosovës”.

“Por, ta lëmë atë anash, tani ne kemi përgatitur si presidencë ligjin nëpërmjet të cilit do të hiqet kjo tarifë njëanshme. Po flas sepse nuk ka asnjë racionalitet që Republika e lirë e Kosovës, ku ende trupat me uniformën amerikane e mbrojnë kufirin tonë, Serbisë t’i vendosë 0 tarifa, kurse Amerikës, atyre ushtarëve që bashkë me policinë tonë na ruajnë kufirin t’u vendosë tarifë. Për mua nuk ka asnjë racionalitet kjo. Prandaj ne e kemi gati ligjin do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet, kam diskutuar me shumë deputetë jam e bindur që do të kalojë. Është për keqardhje që ka ardhë deri të kjo sepse atë ditë është dashur thjeshtë të largohet tarifa me një nënshkrim të thjeshtë. Megjithatë edhe unë kam shpresuar shumë që në atë moment do të shihet vetëm interesi i Kosovës dhe asgjë tjetër se ne si individ nuk përfitojmë nga kjo gjë por vetëm Kosova do të përfitonte. Kjo nuk ka të bëjë çështje fiskale, ka të bëjë me aleanca strategjike, ka të bëjë me objektiva strategjike dhe ka të bëjë me objektiva afatgjate duhet t’i shohim gjerat përtej hundës sonë, duhet të shohim si përparon Kosova, ajo ka qenë mënyrë shumë e mirë nëpërmjet të cilës do të përparonte aleanca jonë. U parandalua në atë moment por ne do ta kryejmë këtë punë, do ta realizojmë shumë shpejt”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse është e bindur se Kuvendi do të konstituohet nesër, Osmani ka thënë: “Unë tani nuk mund t’ua jap këtë përgjigje sepse kjo varet shumë nga deputetët e Kuvendit, nga partitë politike. Shpresoj shumë që të bëhet një gjë e tillë, është në interes të Kosovës që të kemi konsolidim të shpejt të të gjitha institucioneve. Kosova ka shumë punë të cilat duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për një gjë të tillë prandaj mbes me shpresë që më datën 15 të jetë një ditë e suksesshme për gjithë Kosovë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Te Real Madridi nuk e marrin situatën me të lehtë.…