Pas Llapit edhe Feronikeli sulmon kryetarin e FFK-së
Skuadra e Llapit dje e sulmoi kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin se ndau 38 mijë euro për humbjen e Llapit nga Prishtina. Ndërsa sot kryetarin e FFK-së e ka sulmuar edhe skuadra e Feronikelit.
“Shtrohet pyetja zotëri, Ademi , si mund të ja dalim ne si klub edhe kundër juve? Apo mos dëshironi që Feronikeli të luftojë i vetëm, kundër të gjithëve? Apo mos keni ambicie, që klubin më profesional që keni në Superligë, ta fundosni me marrëveshje ‘pas shpine’?”, thuhet në reagimin e Feronikelit.
Postimi i plotë i Feronikelit pa ndërhyrje
Një rast i paprecedent ka ndodhur në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Sipas raportimeve në faqen e FC Llapit, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë plot 38,000 euro për Prishtinën, vetëm e vetëm që të mposhtë Llapin, në ndeshjen e së dielës, të cilën e humbi 1-0.
Sipas kësaj, Ademi shihet se e dëshironte shumë fitoren e Prishtinës, pasi që ky çmim, nuk është aspak i vogël. Shtrohet pyetja zotëri, Ademi , si mund të ja dalim ne si klub edhe kundër juve? Apo mos dëshironi që Feronikeli të luftojë i vetëm, kundër të gjithëve? Apo mos keni ambicie, që klubin më profesional që keni në Superligë, ta fundosni me marrëveshje “pas shpine”? Një rast tjetër që ndodhi në ndeshjen mes Llapit dhe Prishtinës, është goditja me grusht që bën sulmuesi i Prishtinës, Basid Khalid, në Bujar Idrizin. Përkundër faktit që gjyqtari e kishte para syve ngjarjen, “ai nuk e pa”, e si pasojë as nuk e ndëshkoi. Normalisht që nuk ndëshkohet sulmuesi kryesor, i një klubi që adhurohet aq shumë nga Kryetari i FFK-së. Po ashtu në ndeshjen Keku – Feronikeli, sulmuesit tanë Kastriot Rexhës i ndodhë një incident, kur portieri i Kekut i hudhet sipër duke e goditur në fyt, pasi që loja ishte ndalur, duke heshtur gjyqtari edhe në këtë rast, si për të kompletuar këtë xhiro kundër Feronikelit. FC Prishtinës sigurisht se do ti kryente punë shuma prej 38,000 eurove, pasi që ka plot tre muaj që nuk janë në rregull me paga ndaj futbollistëve. Por, në anën tjetër, ata këto financa i përdorin për të shpërblyer futbollistët e KEK-ut, në rast të një fitoreje ndaj Feronikelit, gjë që nuk i ndodhi as këtu. Si ka mundësi që të gjithë janë kundër një ekipi kaq profesional si Feronikeli FC, një ekipi që i jep aq shumë IPKO Superligës së Kosovës dhe një ekipi që po krijon atmosferë të futbollit evropian, brenda kushteve ekonomike kosovare? Sidoqoftë, pas gjithë kësaj rrëmuje, Feronikeli fiton te Keku, Llapi i merr tri pikë Prishtinës, e diferenca mes Feronikelit e Prishtinës është pesë pikë, sepse zotëri, Ademi, futbolli gjithmonë triumfon! Apo mos po kthehet FFK në FFP (Federata e Futbollit të Prishtinës)?