Pas marrëveshjes me Serbinë, a do të na zbuten dhimbjet me barëra nga lista esenciale?!
Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA
Deri kur do të vuajmë nga dhimbjet politike: Kaluan thuaja 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe Kosova është në pat pozicion me Serbinë. Në vend se të gëzojë pavarësi të plotë dhe ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin e vet, ka hyrë e detyruar nga “miqtë” ndërkombëtarë dhe injorantët e vendit në bisedime ku tregtohet në mënyrën më të paskrupullt pikërisht me sovranitetin, në ndërkohë që integritetin territorial e ndan me Serbinë. Nuk mbaj mend apo nuk kam dëgjuar se një shtet një kohë aq të gjatë pasi është çliruar të bisedojë për çështje për të cilat nuk bisedon asnjë shtet normal. Është e kuptueshme se për shkak të rrethanave specifike një çështje mund të lihet pezull për një afat të caktuar kohor, në ndërkohë që përmes bisedimeve bëhen përpjekje të bëhet një zgjidhje përfundimtare pa e kontestuar tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit. Serbia ka bërë shumë krime në Kosovë jo vetëm në vitet 1998-1999, por edhe shumë më gjatë më se një shekull. Që nga koha kur Mihajlo Obrenoviq në vitin 1867 e largoi përfundimisht ushtrinë otomane nga Serbia, përkatësisht nga viti 1878, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet, filluan krimet ndaj shqiptarëve, spastrimi etnik i dhunshëm i shqiptarëve nga Nishi, Prokupja, Kurshumlia dhe vendet e tjera të banuara me shumicë shqiptare e që përfundoi me gjenocidin e luftës së fundit 1998-1999. Për këto krime, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, Serbia nuk u dënua as përafërsisht në përputhje me krimet e bëra. Marrëveshja e Kumanovës, ku aventurierët e Rambujesë as që ishin të pranishëm, i dha mundësi Serbisë të tërhiqet me tërë arsenalin ushtarak duke plaçkitur çdo gjë që donin, duke vrarë shumë shqiptarë, duke ua vënë zjarrin shumë shtëpive dhe duke marrë me vete mijëra shqiptarë si robër lufte të cilët pastaj i vendosën nëpër burgje duke organizuar procese të montuara politike dhe duke ekzekutuar një numër të tyre pa asnjë proces gjyqësor. Po të llogaritej Serbia si palë që e ka humbur luftën, atëherë ndaj saj do të veprohej sikur ndaj Gjermanisë, Japonisë, Italisë dhe aleatëve të tjerë që e humbën Luftën e Dytë Botërore. Një javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, gjeneralët e KFOR-it, përkatësisht të NATO-s, në motelin në Rudare dhe Merdare pinin shlivovicë me gjeneralët e Serbisë të cilët ende i kishin duart e përgjakura duke vrarë civilë të pafajshëm shqiptarë dhe duke ekzekutuar robër lufte, gjithashtu shqiptarë. Po këta gjeneralë të Serbisë që flirtonin në Rudare dhe Merdare me gjeneralët e KFOR-it, ende nuk kishin arritur t’i mbërthenin pantallonat nga dhunimet e shumta në Kosovë dhe përsëri, me ndihmën e “miqve” ndërkombëtarë, thuaja se u bënë paqeruajtës në Kosovë si dhe vendimmarrës . Këta “gjeneralët” tanë, një pjesë e tyre të shndërruar në hajdutë dhe dhunues ordinerë, uzurponin banesa, shtëpi, hapësira biznesi, të mbetur pa pronarë dhe keqtrajtonin, deri në asgjësim, çdokënd që e konsideronin pengesë në rrugëtimin e tyre kriminal. Realisht këtu nuk ka fare dallim midis atyre që “luftuan” dhe atyre që bënë politikë paqësore, të gjithë vepruan njëjtë dhe në përputhje me mundësitë që i kishin. Serbët e Kosovës, disa u larguan për Serbi, kurse disa të tjerë u enklavizuan në lokacione të pastra etnike sikur që e formuan një hapësirë të madhe kriminale në veri të Kosovës ku institucionet e Kosovës, qoftë të përkohshme apo edhe ato më pak të përkohshme, nuk kishin fare qasje, përjashtuar elementet kriminale që vendosën marrëdhënie të mira bilaterale me kriminelët serbë. Pjesë e këtij krimi të organizuar ishin edhe ndërkombëtarët që, duke i instrumentalizuar elementet kriminale, menaxhuan ashtu si deshën dhe me lehtësi proceset politike që fundamentalisht e dëmtonin Kosovën. U provokuan ngjarjet e marsit 2004 dhe për këtë u fajësuan vetëm shqiptarët. U bënë hetime vetëm për vrasje të serbëve, tetë serbë të vrarë, por nuk u bënë fare hetime për vrasjen e 11 shqiptarëve, një pjesë e të cilëve u ekzekutua nga policia e UNMIK-ut sikur që u ekzekutuan kinezët protestues në Sheshin “Tienan Man” në Pekin apo në Korenë e Veriut. Askush nuk u dënua për mbytjen e dhunshme të tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër të fshatit Çabër sepse shihni këtë formulim idiotesk dhe racist të gjykatave të UNMIK-ut, nuk është gjetur qeni i cili qenka llogaritur si dëshmitar krucial. OSBE-ja, përkatësisht varrosësi i demokracisë dhe lirisë së medieve në Kosovë, Paskal Fieski, e kërcënoi RTK-në se, nëse nuk raporton sipas standardeve me të cilat do të pajtohej edhe Serbia, ndaj saj do të organizohej një gjyq sikur në Ruandë dhe do të merrnin përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aq iu deshtë RTK-së t’i lëshojë brekët për t’i mos i veshur as sot e kësaj dite duke ia ka kthyer prapanicën çdo politikani, çdo partie që ishte në pushtet apo që kishte pushtet, vendor qoftë ai apo ndërkombëtar, pa asnjë dallim.
Bisedimet e Vjenës dhe Tangoja e Beogradit: Përbërja e delegacionit në Vjenë ishte kryesisht e përbërë prej analfabetëve politikë të cilët mendonin se ishin politikbërësitë kryesorë në botë pa të cilët nuk merrej asnjë vendim me rëndësi globale dhe duke i futur hundët gjithkund. I zuri vera vjeneze përjashtuar disa aristokratë kosovarë që verën e kishin pjesë të menysë, shekuj me radhë. Fort i mbushën llogaritë e tyre bankare, dilnin para kamerave me flokë të ngjyrosura futë zi, sikur artistë të serialeve turke, amerikano-latine apo sikur të ishin kushërinjtë e Sandokanit. U angazhua një kriminel kushtetues, Mati Ahtisari, që e masakroi Kushtetutën e Kosovës duke e vendosur zemrën e saj si përcaktuese për Kushtetutën, ndërsa bishtin apo këmbët e arushës ua la kosovarëve. Kjo Kushtetutë, atë çka nuk arriti ta bëjë Millosheviqi me luftë dhe gjenocid, me ndihmën e presidentit Ahtisari, serbët i shndërroi në nebeski narod (popull hyjnor apo qiellor) duke u siguruar supremaci dhe imunitet nga çdo lloj ndjekjeje. U siguroi vende të rezervuara, me 16 vota bëheshin deputetë, në një vend të pavarur dhe sovran organizoheshin zgjedhje të lira lokale dhe parlamentare të një shteti armiqësor siç ishte dhe është Serbia e kriminelit të luftës, Aleksandër Vuçiq, i shndërruar dhe ndërkombëtarisht i pranuar si viktimë, ndonëse të kaluarën, përmbajtjen dhe historinë e ke, thjesht, kriminale. E siguruan një grup të paditurish apo një kastë prej leshkove që i dërguan në Bruksel, në bisedime teknike! I ndanë rolin kryesor në këto takime “teknike” një fallxhoreje që këto bisedime, me paratë e popullit, i përdorte për të bërë tregti dhe për të punësuar familjarë të ngushtë dhe të gjerë, aq sa kishte vend në aeroplan. Bëri fusnota, tërë kohën gënjeu dhe mashtroi, për një grusht eurosh të pista, për një shtrëngim duarsh me lojtarë të ligës së dytë dhe të tretë të politikës në Bruksel. Hashimi, mbreti i Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Tuzit dhe Luginës, ia hapi atë vend pune duke e shpikur një post për këtë mashtruese ordinere, e cila mbeti peng i mbretit Hashim derisa e shndërroi në material të pariciklueshëm politik, prandaj tash e lënë rrugëve po e sulmon fort mbretin duke e akuzuar për tradhti kombëtare. Nëse bisedimet në Bruksel kanë filluar si marrëdhënie konsensuale, duket se vazhdimi, e sidomos përfundimi, do të jetë dhunim klasik dhe i rëndë i të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Në bisedimet e Brukselit janë zhytur të gjithë, komandantë dhe paqësorë, tokësorë dhe jashtëtokësorë! Shoqëri civile dhe pleqnarë të Muçibabës, media të “pavarura” dhe tredharakë të Behgjet Pacoll Agës, organizata humanitare e Mirosllav Radojçiqit dhe kurvat politike të Serbisë në bordellon e Goran Rakiqit.
Marrëveshja e detyrueshme dhe shkërdhyerja “vullnetarisht” e pranueshme: Mbreti i Kosovës dhe kosovarëve si dhe pjesëve ku kanë jetuar shqiptarët e që tash janë pjesë e emigracionit për shkak të dhunës politike, Hashimi i Parë, ka kohë që po i udhëheq kadastrat e Kosovës dhe po merret me fletët poseduese. Askush në Kosovë nuk është i sigurt se ku do të jetë nesër si pjesë e Serbisë pas këmbimit të territoreve, në hajme të shteteve të Perëndimit si azilkërkues apo do t’i lënë eshtrat në lumin Rio Grande në përpjekje të kalojnë në Amerikë. Hashimi e ka krijuar një ekip kondomësh politikë dhe civilistë të, mendermethënë, shoqërisë civile, për të gjitha situatat dhe për shijen e vet. I përdorë dhe i keqpërdorë sipas nevojës. Ka më shumë se dy vjet që na ka dhunuar me korrigjim të kufijve dhe këmbim të territoreve duke bërë harta gjeografike me Aleksandër Vuçiqin. Po të mos ishte Gjermania dhe zonja e Madhe, Angela Merkel si dhe kundërshtimi i Silvester Haradinaj-Rambos, sot do ta dëgjonim ezanin nga mulla Haqifi i Vellika Ternovcit e që pastaj shpejt e shpejt do ta bënte pelegrinazh deri në Stamboll për të dërguar ca qeska kanabis dhe për të marrë ca qeska hashash për “xhematin” e Brukselit, Parisit, Prishtinës dhe qendrave të tjera. Hashimi për një çast heshti, nuk po dëgjohet përveçse që të gjithë kundërshtarëve që e shajnë dhe e sulmojnë u dërgon mesazhe paqeje dhe dashurie. Tash ka shkuar në Japoni për ta kryer kursin për samuraj jo për të flijuar veten, por të tjerët. Tash po bëhet i rrezikshëm. Vuçiqi po thotë se nuk ka njohje të Kosovës pa fituar edhe Serbia pak, shumë pak, nja 30 për qind të territorit të Kosovës dhe statusin special për serbët e tjerë. Kërkesë modeste, shumë modeste. Daçiqi dhe Pacolli sikur të ishin vëllezër siamezë, me vullnetin më të madh po punojnë kundër Kosovës, Daçiqi duke rritur numrin e ç’njohjeve, kurse Pacolli duke e prurë thuaja në pikën zero numrin e njohjeve. Këtu po bëhen bashkë dhe nuk dallojnë fare. Kosova nuk i ndan, por i bashkon!
“Normalizim” i dhunshëm dhe i detyrueshëm: ShBA-ja e ka caktuar një të dërguar për lehtësim të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje detyruese. I ka dërguar edhe dy senatorë që e kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë. Edhe z. Pallmer sikur edhe senatorët më nuk po flasin se duhet të bisedohet për arritjen e marrëveshjes, por po flasin për marrëveshjen si punë e përfunduar. Janë caktuar afatet dhe kjo marrëveshje po përdoret si slogan i Trumpit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale ku Trumpi mendon për një mandat të dytë. Pse ne duhet të votojmë për Trumpin?! Nëse Behgjet Pacolli, si republikan i njohur që nga Republika Socialiste e Jugosllavisë, ka interes ta votojë Trumpin, këtë interes nuk e kanë të gjithë në Kosovë. Begja është një tra(m)pist shumë i bindur. Vitin e kaluar më ftoi në kafe në Uashington, pikërisht në hotelin e Trumpit. I propozova të pimë kafe në cilindo hotel tjetër, por nuk pranoi. Trap dhe vetëm Trumpi! Tash po thuhet se kjo marrëveshje nuk do t’i pëlqejë popullit, as atij në Serbi, as këtij në Kosovë. Hashimit dhe Acës do t’u pëlqejë, gjithsesi! Jam plotësisht i vetëdijshëm se duhet të bisedohet me Serbinë për fqinjësi të mirë, për kompensim të dëmeve të luftës, për bashkëpunim dhe tregti, por nuk duhet të bisedohet asnjëherë për territore. As edhe për një milimetër territor. Nëse krimineli kushtetuese, Mati Ahtisari, e ka përjashtuar çdo mundësi të jetësimit të vullnetit politik të shqiptarëve se ku dhe me kënd duan të jetojnë dhe të bashkohen dhe që pasardhësit e shokut Tito e kanë pranuar si edhe një kategori e leshkove politikë të dalë nga lufta, pse të pranojmë të bisedojmë për kufij dhe territore?! Kosova i ka kufijtë dhe territorin sikur që e ka edhe Serbia dhe mund dhe duhet të bisedohet për një zgjidhje vetëm brenda kufijve ekzistues. Nëse në Kushtetutën e kriminelit kushtetues, Mati Ahtisarit, nuk lejohet që Kosova është shtet i shqiptarëve (95 për qind) e popullsisë dhe qytetarëve të tjerë, pse atëherë duhet të sigurohet për serbët statusi i “popullit hyjnor” që kanë më shumë të drejta se krejt shqiptarët, së bashku me pakicat e tjera. Kosova duhet ta hedhë në mbeturina shprehjen diskriminimi pozitiv dhe ndaj pakicave duhet t’i zbatojë plotësisht të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Asgjë më shumë! Nëse hidhen në tavolinën e bisedimeve kufijtë ekzistues të Kosovës dhe pranohet si mundësi këmbimi i territoreve, atëherë po e fusim në bisedime edhe Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Greqinë si dhe trojet që dhunshëm janë zbrazur nga shqiptarët pas shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Serbisë. Nuk diskutohet për një korrigjim dhe dhënie falje marrje me dhunë të territorit të Kosovës, kurse Serbia të mbetet e virgjër territorialisht. As shtetet dhe vendet nga janë dëbuar dhunshëm shqiptarët dhe ku jetojnë edhe sot e që diskriminohen në sy të ndërkombëtarëve.
Territori i Kosovës duhet të jetë i paprekshëm dhe duhet ta përdorim sloganin e Triestes pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në pretendimet irredentiste të Italisë; “Prst damo, Trst ne damo…”, “gishtin e japim, Trieshtën nuk e japim…”, e cila duhet t’u përshtatet kushteve moderne; “Hashimin e japim, Kosovën nuk e japim…”. Mbreti Hashimi i Parë do ta luajë lojën pas deklaratave ultimative të amerikanëve, do të tërhiqet nga vija e parë e frontit të bisedimeve dhe tërë përgjegjësia do të bjerë mbi “Qeverinë e re që ka besim dhe që ka ide kreative për bisedime me Serbinë…” ku, pa dyshim, LV-ja do të jetë jashtë loje dhe në fushë do të mbesin lojtarët e sprovuar dhe që kanë dhënë provime të dëgjueshmërisë jo për shkak se u mungon guximi, por se janë parti shtetformuese dhe shtetrrënuese, më falni shtetndërtuese. Duhet ta pranoni se Isa Mustafa është shumë inteligjent dhe se koeficientin e inteligjencës e ka sa të Madonës (Madona e ka IQ shumë më të lartë se Albert Ajnshtajni) dhe të dy janë shumë të merituar për shkencën, Ajnshtajni për teorinë e relativitetit, Madona për teorinë e hiperseksualitetit. Isa po del në prapavijë si shef i logjistikës, ndërsa përgjegjësinë po e marrin Vjosa po vjen dhe Vjosa po shkon me të tjerët. Isa bashkë me Hashimin po e luajnë rolin e Pont Pilatit, duke u larë nga çdo mëkat që kanë bërë në dëm të Kosovës. Kot e kanë, nuk i lanë as lumi, as deti e as oqeani. E kanë të garantuar përroskën e fshatit ku do të mbyten. Jemi para një dileme historike: “Ose duhet t’i mbajmë të lëshuara në tokë brekushet e Kazakistanit, ose duhet fort t’i shtrëngojmë sumbullat e xhamadanit…”!