Pas marsit të ’98-s detyra ime kryesore ishte t’i bind mërgimtarët që ta ndihmojnë UÇK-në
Profesori dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Hasan Ukëhaxhaj, në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Epoka e re”, ka bërë me dije se pas marsit të ’98-s detyra e tij kryesore ishte t’i bindë mërgimtarët që ta ndihmojnë UÇK-në.
Në këtë intervistë Ukëhaxhaj flet edhe për aktivitetin e vet në Gjermani në kuadër të LPK-së dhe për kthimin në Kosovë në qershor të ’99-s, kur ishte emëruar zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar atëkohë nga Hashim Thaçi si dhe për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.
“Epoka e re”: Edhe një pyetje shtesë: Ç’konotacion kishin parullat e brohoritura?
Hasan Ukëhaxhaj: Prapë shkurtimisht mund të thuhet se trungu i tyre ishte kërkesa për Kosovën Republikë, të tjerat ishin degët që e justifikonin atë: me të parën kërkohej shkëputja e saj nga Serbia, e cila Kosovën e shfrytëzonte si koloni. Ky raport shprehej nëpërmjet parullës ‘Trepça punon, Beogradi ndërton’, pra një eksploatim deri në palcë. Ndërkaq, me të tretën, e me të tjerat nuk po vazhdoj, ‘Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë’ shprehej kundërshtimi i vendosur i platformës, prapavija e së cilës ishte jo vetëm shoviniste, por edhe raciste. Nga ‘letra’ atë patën filluar ta jetësojnë përmes një demagogjie se gjoja ajo ishte një nismë e natyrës vullnetare e më vonë, kanë llogaritur ‘programerët’ e saj do ta akreditonin si të detyrueshme… S’është vështirë të kuptohet se me ç’stuhi do të përballeshin shqiptarët në një të ardhme të afërt. Ishte kjo një kopje që shovinistët serbë e morën nga perandoria e stepeve e cila qe përpjekur për ta krijuar ‘kombin sovjetik’. Po ia bëj një pyetje vetes: Çka u arrit me demonstratat e vitit 1981: Levën kohezive antishqiptare me emrin ‘bashkim-vëllazërim’ aso pranvere shqiptarët e palosën në arkivol dhe e dërguan për Beograd. Pra, kurrë Serbia nuk e paqtoi më Kosovën. As Jugosllavia nuk arriti më kurrë të stabilizohet. Kurrë më Lëvizja ilegale nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet derisa arriti ta formojë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë vetëm disa prej vlerave të pranverës së vitit 1981. Ata që mendojnë se demonstratat nuk ishin në të mirë të kauzës kombëtare më së miri është që të mos ndalem asnjë moment rreth dërdëllitjeve të tyre.
“Epoka e re”: A mund të na thoni diçka rreth veprimtarisë së Komitetit të Deçanit para dhe gjatë demonstratave?
Hasan Ukëhxhaj: Aq sa është e mundur në suazat e një interviste. Në kuadër të Komitetit vepronte edhe grupi i të rinjve që ndryshe quhej Grupi i Shqiponjave, në strukturën e të cilit nuk mungonin edhe që e kishin kapërcyer moshën e cekur. Veprimtaria e tyre kishte karakter krejtësisht praktik. Konkretisht shpërndarjen e materialit propagandistik, shkrimin e parullave dhe veprime të tjera të ngjashme. Këtu po e jap vetëm një të dhënë: gjatë vjeshtës së tetëdhjetës dhe në muajt janar e shkurt të vitit historik janë shpërndarë më se dyqind ekzemplarë të ‘Lajmëtarit’ anekënd Kosovës. Aktiviteti mori përmasa edhe më të mëdha pas 11 marsit, respektivisht pas 1 prillit. Edhe për këtë një të dhënë: Veprimtarët e Grupit Shqiponja, përveç të tjerave që po i kapërcej, dy herë i kanë shpërndarë afishet anekënd fshatrave të Komunës së Deçanit, përmes të cilave populli thirrej për të dalë në demonstratë. Po ku të dilte? Edhe ekspertët ushtarakë e konsiderojnë konfiguracionin si një faktor të rëndësishëm që mund ta sjellë fitoren, përkatësisht humbjen e betejës. Pra, ku të dilnin? Në qendrën e vogël të Deçanit e cila, përveçse me policë, ishte e mbushur edhe me ushtri, meqë konsiderohej zonë ushtarake. Në ato rrethana nuk kishte mundësi të bashkoheshin as pesë veta. Meqë Komiteti i Deçanit ishte qendra e LNÇ-së në ato vite nuk do të ishte korrekte sikur ta kapërceja veprimtarinë e Komitetit të Drenasit dhe të atij në formim e sipër në Mitrovicë. I pari pas 11 marsit e zhvilloi një veprimtari të lakmueshme e cila u kurorëzua me organizimin e demonstratës në qendër të qytezës. E njëjta mund të thuhet për veprimtarët në Mitrovicë, madje edhe për celulën e Llapit. Veprimtaria nuk mund të mos e kishte koston që të kristalizohej në tri fazat e njohura: arrestimet, hetimet dhe gjykimet, të cilat janë hallakat e një zinxhiri që u ‘rrah’ në kullat e Pejës, Prishtinës dhe të Mitrovicës. Meqë s’më takon për të tjerët, po i kapërcej edhe të miat, por jo ato të Ismailit, i cili është përballur me vështirësitë më të mëdha të cilat i përballoi burrërisht. Të ‘kallajisura’ nga Gjykata Supreme rezultuan 12 vjet për Ismailin e ne të tjerët pas tij. Dënime të larta morën edhe anëtarët e Komitetit të Drenasit e të Mitrovicës.
(Pjesën e dytë të intervistës mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)