Pas masës për drurin, Limaj paralajmëron masa tjera për t’i fuqizuar prodhuesit vendorë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës që nga dita e parë e marrjes së detyrës e ka vendosur në fokus të saj mbrojtën dhe mbështetjen e prodhuesve vendor.
Limaj ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë, i propozuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera është në funksion të mbrojtës së prodhuesve vendorë.
Kjo masë, numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se do t’i kontribuojë ruajtjes së pyllit.
“Si Qeveri e Kosovës, jemi të vendosur t’iu ndihmojmë për aq sa është e mundur të gjithë prodhuesve vendor pa dallim. Fuqizimi i prodhuesve vendor nënkupton rritje të buxhetit dhe hapje të reja të vendeve të punës për qytetarët tanë”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
Limaj ka paralajmëruar edhe një serë masash të cilat do të merren më qëllim të stimulimit të prodhuesve vendor.
Postimi i plotë i Limajt:
Qeveria e Kosovës që nga dita e parë e marrjes së detyrës, në qendër të vëmendjes e ka vendosur mbrojtjen dhe mbështetjen e prodhuesve vendorë.
Edhe vendimi i fundit i Qeverisë, i propozuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, është në funksion të mbrojtës së prodhuesve vendorë.
Kjo masë është bërë përkohësisht për shkak se po e dëmton rëndë sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë.
Në këtë formë ne do ta ruajmë pyllin nga prerjet ilegale në Kosovë, qoftë për masë drurore teknike edhe për masën drurore – dru zjarri.
Si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur t’u ndihmojmë, për aq sa është e mundur, të gjithë prodhuesve vendorë, pa dallim. Fuqizimi i prodhuesve vendorë nënkupton rritje të buxhetit dhe hapje të reja të vendeve të punës për qytetarët tanë.
Janë edhe një sërë masash të cilat do të merren me qëllim të stimulimit të prodhuesve vendorë.
FL