Pas mbështetjes së ShBA-së nuk duhet të kemi hamendje për ushtrinë
Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar se reagimi i NATO-s nuk mund ta ndërpresë rrugën për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk do të ketë zmbrapsje në këtë drejtim sepse Kosova është shtet i pavarur dhe i merr vetë vendimet.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qehaja ka thënë se pas mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Kosova nuk duhet të ketë hamendje për formimin e ushtrisë.
Megjithatë, ai ka thënë se pavarësisht prej ftohjeve që mund të kenë në këtë periudhë marrëdhëniet në mes të FSK-së dhe NATO-s, në një të ardhme jo të largët situata do të kthehet në normalitet, do të vazhdojë bashkëpunimi i ndërsjellë dhe Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s
“Epoka e re”: Z. Qehaja, si i keni parë reagimet e NATO-s sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës?
Qehaja: Kemi një vonesë shumë të madhe për ngritjen e kapaciteteve të Forcës sonë të armatosur dhe për këtë ka shumë shkaqe. Është e habitshme se si për katër vjet të tentativës sonë nuk kemi arritur ta formojmë Forcën e Armatosur të Kosovës. Personalisht e kam pritur reagimin e NATO-s lidhur me këtë çështje sepse fjala është për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila po e merr një rol të veçantë, pra po merr atribute ushtarake në kryerjen e detyrave të veta. Që 19 vjet merremi me shuarje të zjarreve dhe me mbrojtje civile, po assesi nuk kemi mundur që si faktor vendor të ecim përpara dhe t’i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës. Tash ka ardhur një çast shumë i rëndësishëm, pavarësisht se disa thonë se kryeministri këtë iniciativë e ka marrë për atë apo për këtë shkak. Konsideroj se transformimi i FSK-së nëpërmjet ligjit është një hap shumë pozitiv. Në kuadër të NATO-s ka shtete të cilat nuk e kanë e njohur Kosovën dhe në këtë kontekst edhe diplomacia shumë e ashpër serbe e ka bërë të veten që këto shtete t’i përgatitë për të dhënë një rezistencë shumë të madhe ndaj transformimit të FSK-së deri te tentativa e anulimit të kësaj detyre, por këtë nuk mund ta bëjnë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas kundërshtimeve që i ka përjetuar në takimin e ministrave të shteteve anëtare të NATO-s, domosdoshmerisht është dashur të dalë me një qëndrim mjaft të “fortë”, se Kosova nuk duhet t’i formojë Forcat e Armatosura në këtë periudhë. Megjithatë, ne duhet të ecim tutje, të bashkëpunojmë me NATO-na dhe në një kohë jo të largët të jemi anëtarë të NATO-s.
“Epoka e re”: Nuk ka rrezik që ky kundërshtim i NATO-s ta zmbrapsë Kosovën për formimin e ushtrisë?
Qehaja: Reagimi i NATO-s nuk mund të na ndërpresë rrugën tonë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Nuk mund të ketë zmbrapsje. Nuk na interesojnë vlerësimet e Serbisë zyrtare dhe të disa shteteve anëtare të NATO-s lidhur me transformimin e FSK-së, sepse ne jemi shtet sovran dhe vendimet i marrim vetë. Ne duhet të avancojmë FSK-në asisoj që ajo të jetë e përgatitur për detyra të vetëmbrojtjes dhe assesi për detyra destabilizuese ashtu siç po trumbeton Beogradi zyrtar, sepse kjo nuk është e vërtetë. Me një numër kaq të vogël të pjesëtarëve të FSK-së ta destabilizojmë rajonin, kjo është e pakuptimtë. Deri më tani FSK-ja ka qenë konsumuese e çështjeve të sigurisë dhe tani dëshiron të jetë kontribuuese e sigurisë edhe në misione paqësore në botë, nëse ka nevojë.
“Epoka e re”: Mund të jenë reagimet e NATO-s vetëm për konsum të jashtëm për shkak të ndikimit serb te disa vende anëtare, apo paralajmërimet e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate se Kosova do të ballafaqohet me pasoja nëse e transformon FSK-në?
Qehaja: Kjo pyetje nuk është e lehtë dhe nuk dua të hyj në çështjet që po i shtroni. Pasojat që i ka përmendur sekretari i NATO-s do të ketë ftohje të marrëdhënieve në relacionet e FSK-së dhe të Kosovës me NATO-n apo KFOR-in në Kosovë. Mirëpo me kalimin e kohës, për shkak të detyrave që ne do t’i kryejmë në vetëmbrojtje dhe përgatitjet që duhet t’i bëjë çdo shtet për mbrojtjen vetjake, atëherë çështja do të vijë në suaza normale dhe një bashkëpunim i mirë do të ndodhë në një të ardhme jo të largët në mes të FSK-së dhe NATO-s.
“Epoka e re”: Duhet frikësuar paralajmërimit të NATO-s, se do ta shqyrtojë bashkëpunimin me FSK-në, duke pasur parasysh se Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s?
Qehaja: Nuk e besoj se do të ndodhë kjo. Edhe pse paralajmërimet janë dhe duhet t’i marrim si të tilla, por duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shpjegojmë se çfarë jemi duke ndërmarrë. Sepse diplomacia dhe politika destruktive serbe e ka bërë të vetën dhe Serbia ka një rol në kuadër të Bashkimit Evropian, mirëpo edhe pse nuk është anëtare e NATO-s, nuk do të thotë se kjo organizatë nuk e shikon me një sy si shtet që ka një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike. Prandaj ne me punën tonë duhet të tregojmë se FSK-ja do të jetë për vetëmbrojtje dhe assesi për çështje të tjera siç po trumbeton Beogradi.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej kundërshtimeve të NATO-s dhe të Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë në mbështetje të transformimit të FSK-së, duke e parë këtë si hap të natyrshëm dhe të rëndësishëm.
Qehaja: Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në gjysmën e këtij viti kanë qenë konsekuente për të na stopuar në këtë rrugëtim për shkaqe politike dhe diplomatike dhe ne e kemi marrë këtë për bazë. Mirëpo, kur ShBA-ja ka vlerësuar se Kosova i ka ndërmarrë të gjitha masat sa i përket shpjegimit të këtyre çështjeve mbrojtëse për minoritetin serb këtu në Kosovë, si dhe u ka shpjeguar diplomatëve se çfarë po dëshiron të bëjë si shtet i pavarur dhe sovran, atëherë ShBA-ja ka nxjerrë përfundimin se Kosova duhet t’i formojë Forcat e Armatosura, përkatësisht ngritjen e gatishmërisë vepruese ushtarake të FSK-së nëpërmjet ligjeve dhe jo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese sepse pengesa kryesore ka qenë Beogradi zyrtar nëpërmjet Listës Serbe.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh mbështetjen e Amerikës, mund të llogarisim se nuk do të ketë pengesa dhe ndalesa të tjera në këtë proces?
Qehaja: Pavarësisht prej kundërshtimeve anësore që kanë thënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se Kosova duhet t’i formojë Forcat e Armatosura të Kosovës, këtu nuk ka më dilemë. Kur një superfuqi siç është Amerika e thotë këtë nuk kemi pse të hamendemi. Mund të mos ‘përlahemi’ apo t’i ‘prishim’ marrëdhëniet diplomatike me shtetet që po e kundërshtojnë këtë proces, por duhet të ecim tutje pavarësisht prej kundërshtimeve.
“Epoka e re”: Z. Qehaja, dmth., më 14 dhjetor do të miratohen ligjet dhe Kosova do të bëhet me ushtri?
Qehaja: Jam shumë optimist se më 14 dhjetor do të miratohen tri projektligjet nëpërmjet të cilëve do të bëhet transformimi i FSK-së, sepse spektri politik, përveç Listës Serbe, është i përgatitur ta bëjë këtë. Jam i befasuar me qëndrimet e disa politikanëve dhe analistëve të cilët në këtë situatë e kundërshtojnë këtë çështje. Nëse marrim një vendim si shtet, qoftë ai edhe i gabuar, duhet të ecim përpara, prandaj nuk duhet të ketë kundërshtime për këtë mënyrë të transformimit të FSK-së. Të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë nuk ia duan të mirën shtetit dhe shtyllës kryesore të shtetit sovran, siç është shtylla ushtarake dhe e sigurisë. Këto janë shqetësime të disa individëve destruktivë. Na duhet një decenie derisa t’i marrim ‘këmbët’, pra që të bëjmë plane afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata. Ky proces nuk është i lehtë dhe ka shumë punë për t’u bërë, mirëpo ne duhet të ecim tutje. I kemi njerëzit e shkolluar në akademitë më të prestigjioze në botë të cilët duhet të vihen në pozita adekuate për t’i kryer punët më të vështira që kanë të bëjnë me procesin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Prandaj këtë fundvit duhet të jemi më të lumtur sepse po e kryejmë një punë shumë të rëndësishme e cila na ka mbetur zvarrë. Sepse të mbetesh duke u marrë vetëm me çështje të mbrojtjes civile dhe gatishmërisë emergjente si shtet sovran ka qenë e pabesueshme. Mirëpo ja që erdhi ky çast, që edhe Kosova, sikur çdo shtet i rajonit, ta ketë ushtrinë e vet, përkatësisht FSK-në me një gatishmëri ushtarake dhe luftarake për vetëmbrojtje.
Shqipe HETEMI