Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri paraqet qëndrimet e AAK-së për situatën në veri

31 maj 2023 | 15:43

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, para medieve shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paraqitur qëndrimet e kësaj partie lidhur me situatën aktuale në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës, partitë politike, institucionet e Kosovës nuk mund të sillen kinse nuk është kah ndodhë asgjë në këtë vend.

Sipas tij, gjendja është e jashtëzakonshme dhe për rrjedhojë “nuk mund të sillemi zakonshëm”.

“Për AAK-në është shumë me rëndësi që të nisë një mocion i mosbesimit të Qeverisë Kurti, për arsyet si: – Me qasjen e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti, Kosova po vazhdon me shpejtësi ta humb sovranitetin e saj në Veri të Kosovës. Nga marrja e vendimit për targa, Kosova në atë pjesë të vendit është vetëm duke u dobësuar dhe duke e humbur sovranitetin. – Me këtë qasje, na solli në situatë, ku KFOR-i dislokon trupa shtesë në Veri të Kosovës, bazuar në Rezolutën 1244. Në fakt, ky dislokim po ndodhë 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. – Qeveria Kurti na solli në një situatë me aleatin më të madh – ShBA-në – garantuesin e sovranitetit e shtetësisë dhe pavarësisë së vendit tonë, të na vendosin sanksione. Sanksione të cilat e kanë goditur në themel funksionimin e shtetit, duke larguar Kosovën nga Defender Europë 2023, e deri te masat tjera të cilat pritet të ndodhin”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se nuk ka logjikë, në kohën kur aleati ynë kryesor e ka problemin më të madh të sigurisë në luftën në Ukrainë, t’ia hapim edhe një problem tjetër të sigurisë në Ballkanin Perëndimor me veriun e Kosovës.

“Për AAK-në institucionet janë të shenjta, as kriminelët e Vuçiqit, e as policët me uniforma e pa uniforma, nuk do të mund asnjëherë ta sfidojnë shtetin e Kosovës. Shteti e shtëpia mbahen me miq, e mik më të mirë se sa Amerika, populli i Kosovës nuk ka. Albin Kurti e LVV-ja duhet t’i hapin sytë mirë dhe të mendojnë se ku jemi sot. AAK-ja është ajo që e ka mbështetur marrëveshjen finale me Serbinë, që nga dita e parë, i ka qëndruar në krah në të gjitha betejat që i ka pasur me Serbinë si për zgjedhjet, referendumin, e çështje tjera”.

“Ne, nuk mund t’i japim mbështetje një kryeministri, i cili na solli në një situatë që ShBA-ja të na vë sanksione. Këtë shtet dhe këtë liri e kemi fituar falë luftës së gjeneratave deri te UÇK-ja, në bashkërendim dhe partneritet me Amerikën dhe NATO-në. E dimë që ky komunikim me ShBA-në është përgjegjësi politike, shtetërore e institucionale dhe e kemi obligim t’i tregojmë Qeverisë Kurti, që kjo është rrugë qorre. Për t’u integruar veriu i Kosovës, fillimisht është dashur të integrohet politika e përbashkët Kosovë-ShBA, e jo të vijmë në këtë situatë. As ShBA-ja nuk dëshiron ta godas një shtet, të cilin e ka njohur së pari dhe për të cilën ka bërë të pamundurën për ta mbrojtur e zhvilluar”, ka thënë Tahiri.

Në interesimin e medieve lidhur me mocionin ndaj Qeverisë Kurti, Tahiri ka theksuar kërkesën e djeshme të kryetarit Haradinaj për dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

“Ky është një proces i cili kërkon një bashkërendim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sa i përket zgjedhjeve në komunat në veri, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka theksuar se bojkoti është një instrument demokratik, sikurse marrja e legjitimitetit përmes votës që është po ashtu proces demokratik.

“E dimë sa kanë votuar atje, ky eksperiment nuk i ka ndihmuar Kosovës dhe as integrimit të veriut, por e ka dobësuar”, është shprehur Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar…