Pas McDonald’s, edhe Burger King në Indi heq domatet nga menuja

17 gusht 2023 | 23:09

Burger King ka hequr domatet nga pikat indiane pas një rritjeje të madhe të çmimeve.

Rrjeti i ushqimit të shpejtë tha se e mori vendimin për shkak të “kushteve të paparashikueshme në cilësinë dhe furnizimin e kulturave të domates”.

Zinxhiri i burgerëve është i dyti në vend pas McDonald’s që heq përbërësin nga menyja e tij.

Ekspertët thonë se dëmtimi i të korrave për shkak të kushteve të këqija atmosferike ka shkaktuar mungesë në treg.

Në fillim të kësaj jave, zinxhiri amerikan i sanduiçëve Subway hoqi gjithashtu domatet nga menutë pasi inflacioni i ushqimeve në Indi arriti nivelin më të lartë që nga janari 2020, raporton Reuters.

Madje Subway hoqi edhe fetat e djathit falas që restoranti ofronte me sanduiçin për vite me radhë.

Çmimet e produkteve thelbësore janë rritur në Indi muajt e fundit, por domatet kanë arritur një kulm prej 250 rupi, ose 3 dollarë për kilogram në korrik.

Çmimet e domates kanë rënë që atëherë, por në fillim të këtij muaji, India filloi ta importojë atë nga Nepali fqinj, për të menaxhuar krizën e furnizimit.

Domatet e importit shiten me 50 rupi për kilogram në kryeqytetin Delhi dhe në shtetet veriore të Rajasthan dhe Uttar Pradesh.

Të mërkurën, Burger King shtoi një seksion të ri në faqen e tij zyrtare në Indi të quajtur, “Pse nuk ka domate në burgerët e mi?”

Zinxhiri ushqimor tha se ekskluziviteti i tij indian ka standarde shumë të larta të cilësisë dhe se domatet do të kthehen së shpejti në menu.

“Deri atëherë ne kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj,” tha Burger King.

Muajin e kaluar, McDonald’s hoqi gjithashtu domaten nga shumica e pikave të saj në Indinë veriore dhe lindore.

Gjigandi i ushqimit të shpejtë ia atribuoi vendimin shqetësimeve të cilësisë dhe jo rritjes së çmimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua kanadeze është dënuar me 22-vjet burgim në Shtetet…