Pas misionit me njësi britanike, kontingjenti i FSK-së kthehet nga Ishujt Falkland
FSK ka njoftuar se kontigjenti i FSK-së, i cili ka zbarkuar së bashku me forcat britanike në ishujt Falkland ka përfunduar me sukses misionin e tyre.
Siç njofton FSK, ky kontigjent ka qenë pjesë e integruar e njësive britanike ku kanë realizuar bashkërisht të gjitha fazat e trajnimit dhe praktikave taktike dhe operacionale në mision në misionin “Atlantiku”.
Njoftimin për kthimin e FSK-së e dha edhe ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook.
“Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses misionin bashkëzbarkues përkrah forcave britanike në Ishujt Falkland, që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe ndërveprushmërisë me forcat e shteteve partnere për të shërbyer në të ardhmen në misionet e paqes kudo që kërkohet”, ka shkruar Mehaj.
Sipas njoftimit të FSK-së ata u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Hysen Dreshaj, shefi i shtabit të KFT-së, kolonel Valdet Berisha, familjarë, miq e shokë që ju uruan mirëseardhje në vendlindje./Reporteri