
Pas Munihut, si do të përballet Evropa me Trumpin?
Jonathan Martin
MUNIH – Kjo ishte java kur frika e Evropës për Amerikën e Donald Trumpit filloi të bëhej realitet.
Dhe ndodhi pikërisht kur liderët e kontinentit u mblodhën në Bavari për Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, e cila shpesh duket si një mbledhje e “psikiatërve që përpiqen të qetësojnë emocionet”, siç e përshkroi presidenti i Letonisë të dielën.
Zyrtarët evropianë kishin arsye të forta për të kërkuar terapi, në mos një gotë ose tre nga birra vendase.
Në çdo moment, administrata e Trumpit dukej se konfirmonte frikën më të keqe të Evropës: kaos, ekstremizëm, proteksionizëm dhe, mbi të gjitha, butësi ndaj Vladimir Putinit. Le t’i marrim një nga një.
Kaosi dhe qëndrimi ndaj Rusisë
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth hapi javën e tmerrit për Evropën.
Në vizitën e tij të parë në kontinent, ai deklaroi se çdo negociatë për përfundimin e luftës në Ukrainë nuk do të përfundonte me kthimin e kufijve të saj para 2014-ës, ose me anëtarësimin në NATO. Ai shtoi gjithashtu se evropianët nuk duhet të supozojnë se prania e trupave amerikane do të zgjasë përgjithmonë.
Këto deklarata u pasuan me konfuzion dhe zemërim.
Hegseth u përpoq t’i zbusë komentet e tij, por Trump i ripohoi ato. Edhe aleatët republikanë u tronditën. Senatori Roger Wicker tha se kjo ishte një dhuratë për Putinin, edhe përpara se bisedimet për armëpushim të kishin filluar.
Për Evropianët, ishte një lehtësim fakti që Trumpi flet vetëm për Trumpin, dhe deklaratat e tij nuk përfaqësojnë gjithmonë administratën.
Ndërsa Evropa përpinte deklaratat tronditëse të Hegsethit, Zëvendëspresidenti JD Vance mbërriti në Mynih. Ai nuk ofroi asnjë siguri për aleancën transatlantike ose angazhimin amerikan për sigurinë e kontinentit. Dhe e përdori fjalimin për të thënë se sfida më e madhe e Evropës nuk vinte nga jashtë, por nga brenda dhe se kontinenti duhet të jetë më pranues ndaj partive të ekstremit të djathtë.
Pra, nuk ka rëndësi lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas Vance. Ai sugjeroi që Evropa duhet të ulë masat mbrojtëse ndaj partive të ekstremit të djathtë dhe t’i pranojë ato në qeveri.
Kjo shkaktoi një incident diplomatik. Kancelari gjerman Olaf Scholz, të nesërmen në Mynih, përmendi vizitën e tij në kampin nazist Dachau me Vance dhe deklaroi qartë se “kurrë më”, do të thotë vërtet “kurrë më”. Friedrich Merz, lideri i opozitës konservatore gjermane dhe kandidat për kancelar, kritikoi hapur Vance dhe e quajti atë hipokrit.
Lufta tregtare e Trumpit
Ndërsa Vance e injoroi luftën e vërtetë në Ukrainë, Trumpi nisi një luftë ekonomike nga Uashingtoni duke propozuar tarifa reciproke për të gjitha mallrat e importuara.
Ai kërkoi të barazonte taksat mbi importet me ato të vendeve të tjera, duke përfshirë taksën mbi vlerën e shtuar në Evropë. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, u përgjigj menjëherë duke kërcënuar me masa të forta si kundërpërgjigje.
Marrëdhënia e Trumpit me Putinin
Por gjeopolitika ishte aspekti më shqetësues i javës.
Trumpi përsëriti se lufta nuk do të kishte ndodhur po të ishte ai president, duke shmangur çdo dënim për agresionin rus. Ai tha se “ai dhe Putini besojnë fuqimisht te ARSYEJA E SHËNDOSHË dhe ranë dakord të punojnë së bashku dhe të vizitojnë njëri-tjetrin. U raportua se Trump dhe Putini do të fillonin negociatat për Ukrainën në Arabinë Saudite – pa përfshirë Ukrainën.
Evropa e shqetësuar, por e organizuar
Në fundjavë, Evropa filloi të kërkonte mënyra për ta bindur Trumpin të mbështesë Ukrainën. Senatori Lindsey Graham i tregoi Trumpit një hartë të pasurive minerale të Ukrainës dhe raportoi se Trumpi u bë më i interesuar për luftën, kur mësoi për rezervat e mëdha të mineraleve të rralla të Ukrainës. Ukraina, megjithatë, refuzoi një ofertë të administratës Trump, e cila kërkonte që gjysma e mineraleve të rralla të vendit t’i kalonin kompanive amerikane në këmbim të ndihmës ushtarake.
Rubio, një aleat i dobishëm për Evropën?
Në Mynih, një shpresë e vogël për Evropën ishte Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Rubio shprehu mbështetje të qartë për Ukrainën dhe firmosi një deklaratë të G7-ës që angazhohej për “mbështetje të palëkundur” për Ukrainën. Diplomacia evropiane filloi të pyesë se si mund ta mbajë Rubion pranë qeverisjes së Trumpit.
Çfarë mund të bëjë Evropa për ta qetësuar Trumpin?
Përgjigja afatshkurtër ishte e ditur nga presidenca e tij e parë: shpenzoni më shumë për mbrojtjen. David Petraeus, gjenerali në pension, tha se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes është e domosdoshme dhe do të kënaqë edhe Trumpin. Kryeministri kroat, Andrej Plenković, tha se ai ka rritur shpenzimet e mbrojtjes pesëfish.
Presidenti finlandez Alexander Stubb tha se Evropa duhet të tregojë se ka një strategji të qartë për Ukrainën. Ai vuri në dukje se Trumpi ishte i interesuar për ndërtimin e anijeve akullthyese finlandeze për Arktikun dhe për teknologjinë e Nokia-s si alternativë ndaj Huawei-t kinez. Stubb madje ka folur me Trumpin dy herë në telefon për këtë çështje.
Kjo është një administratë ndryshe, me një qasje tjetër, tha Stubb.
Evropa nuk duhet ta dramatizojë situatën, por të jetë e qetë dhe e përgatitur. Dhe, nëse është e nevojshme, ta tërheqë Trumpin me marrëveshje ekonomike dhe ushtarake. / bota.al