Pas ndryshmit të formës së rimbursimit, qytetarëve u ka humbur interesimi për të mbledhë kuponë fiskalë
Edhe pse pranojnë se numri i qytetarëve që po aplikojnë për rimbursim të kuponëve fiskalë ka rënë ndjeshëm, ata nuk duan tash të nguten për të ndryshuar formën aktuale të rimbursimit të kuponëve fiskalë.
“Momentalisht, nuk kemi planifikuar që ta ndërrojmë formën e rimbursimit nga kuponët fiskalë. Sigurisht që do të ketë ndryshim më vonë, pasi që ATK-ja çdoherë bën përpjekje që të gjejë formën më të përshtatshme për qytetarët. Sa i përket formës së vjetër, ajo ka qenë formë unike, e cila ka arritur që në masë të madhe t’i edukojë qytetarët rreth rëndësisë së kuponit fiskal. Mirëpo, edhe në bazë të Udhëzimit Administrativ parashihet që në periudha 1- 2 vjet të ndryshojë forma e rimbursimit”, ka thënë Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse e “ATK”-së.
Në anën tjetër, qytetarët që po marrin pjesë ende në lojë ankohen se rrallë herë u ndodh të përfitojnë nga aplikimi.
Por, ka edhe plot të atillë që nuk kanë qenë dhe nuk janë fare të interesuar që të marrin kuponë fiskalë nga bizneset që kryejnë shërbime. Edhe në disa biznese, duke mos dashur të prononcohen, thonë se qytetarët më nuk kanë interesim për marrje të kuponëve fiskalë siç kanë pasur më parë, raporton “kohavizion”. Në mënyrën e re parashihet që aplikimi të bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskalë.