Pas ngjarjeve në veri, a mund të imponohet një marrëveshje e panegociueshme politike?!
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Terrorizëm i maskuar si revoltë qytetare: Në mëngjesin e së dielës që shkoi, struktura të organizuara kriminale serbe e që për bazë operative e kishin manastirin në Banjskë të Zveçanit e provokuan situatën duke vendosur barrikada dhe kur policët e Kosovës shkuan për ta zhbllokuar rrugën, po këto struktura sulmuan me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur dy policë të tjerë. Situata eskaloi pastaj duke vrarë, sipas informatave të verifikuara tre serbë të uniformuar dhe të armatosur kurse numri i të plagosurve nuk ishte i ditur për publikun as ditën kur ndodhi sulmi i armatosur e as sot. U arrestuan gjashtë sulmues të sulmit kriminal prej të cilëve katër u liruan dhe dy mbetën në paraburgim. Një numër i pacaktuar i sulmuesve, në mesin e të cilëve ishte edhe Radojiçiq, zëvendëskryetar i Listës Serbe u larguan përmes një korridori sigurie që ua mundësuan forcat ndërkombëtare pas negociatave me qeverinë e Serbisë. Qeveria e Kosovës në këtë rast vetëm ka mundur të garantojë dhe sigurisht edhe ka garantuar se nuk do t’i vrasë sulmuesit që u larguan nga vendi i krimit duke ecur sikur në një promenadë vere e jo se ishin në siklet për jetën e tyre. Mbështetur në fotot që dukeshin, të gjithë ata që ecnin me armatim në duar dhe në krahë, lehtësisht do të eliminoheshin nga një ekip snajperësh në një afat shumë të shkurtër. Në këto situata kur mungojnë faktet apo kur ato më shihen ose shtrembërohen dolën njëmijë e njëqind tregime, analiza dhe përralla se si ndodhi, pse ndodhi, kush ishte prapa këtij grupi terrorist dhe se cili ishte qëllimi i këtij grupi. Thuhej se kishin për qëllim shpalljen e pavarësisë për veriun e Kosovës dhe ndarjen e saj e që unë nuk besoj për faktin se Serbia nuk është e interesuar ta marrë veriun, por është jetësisht e interesuar të mbajë, kontrollojë dhe forcojë të gjitha lokacionet në Kosovë ku jetojnë serbët në mënyrë që ta mbajë Kosovën gjithmonë nën kërcënim të destabilizimit. Kësaj radhe e ka aktivizuar vetëm veriun kurse serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër i ka udhëzuar të qëndrojnë të qetë deri në çastin kur do të ketë interesim për aktivizimin e tyre.
U ekspozuan shumë armë në mesin e të cilëve kishte armë që i përdorë ushtria dhe njësitet speciale kundër mjeteve të blinduara dhe kundërajërore që nënkupton se kishin paraparë sulme edhe ndaj këtyre caqeve. Dolën fjalë se është plagosur rëndë edhe vet Radojiçiqi dhe se gjendet në trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd. U kërkua që të ndërpritet apo kushtëzohet dialogu me dorëzimin e grupit terrorist që po strehohet në Serbi në kohën kur Serbia nuk ia dorëzon Kosovës as një të arrestuar për vjedhje të pulave e lëre më t’i dorëzojë personat që vet i ka ushtruar, i ka pajisur me armatim dhe logjistikë për ta destabilizuar Kosovën duke ushtruar dhunë dhe terror që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Se kush qëndron prapa krejt këtij grupi, nuk duhet të jeni aspak i mençur e ta qëlloni.
Serbia ishte prapa, me gjithë infrastrukturën politike, ushtarake, policore dhe kishtare. Ishte BIA-ja dhe Vulini që vepronin sipas telekomandës së Vuçiqit.
Po pse rrodhën gjërat si rrodhën: nuk ka asnjë dyshim se strukturat zbuluese dhe kundërzbuluese ndërkombëtare në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë kishin informata të plota dhe të sakta mbase nga vet burimet serbe për tërë këtë grup, armatimin dhe dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve dhe se një pjesë të këtyre informatave ( sigurisht jo të gjitha ) i ndanë me strukturat simotra të Kosovës, aq sa i duheshin institucioneve përgjegjëse të Kosovës të marrin veprimet e duhura dhe të domosdoshme.
Çka mund të pritet nga kërkesat: Njëra ndër kërkesat kryesore ishte që Lista Serbe të shpallet parti terroriste dhe të ndalohet me ligj aktiviteti i saj që midis rreshtave e paralajmëroi edhe Vojsa Osmani, presidente e Kosovës. Punë kjo që nuk bëhet për faktin se asnjë ligj në Kosovë e as në botë nuk e zbaton parimin e përgjegjësisë kolektive por se përgjegjësia është individuale. Mund të kallëzohen penalisht udhëheqësit e Listës Serbe (nëse sigurohen prova të besueshme) dhe të ndiqen individualisht, asgjë më tepër. Lista Serbe është parti parlamentare në Kosovë me 10 deputetë dhe çdo përpjekje për ndëshkim në bazë të përgjegjësisë kolektive, qoftë vetë edhe si propozim vetëm sa do ta forcojë këtë parti. Përgjegjësia penale është individuale. Jam i sigurt se lirimi i të ndaluarve për katër sulmuesit e armatosur është në funksion të depërshkallëzimit të situatës sikur edhe korridori i sigurisë që mundësoi largimin e anëtarëve tjerë të grupit terrorist, në me krye Radojiqiqin është në të njëjtin funksion. Gjithashtu jam i sigurt se institucionet e Kosovës nuk janë pyetur shumë për këto zhvillime dhe se bisedimet janë zhvilluar në relacionin ndërkombëtarë – Serbi.
Pasi përfunduan veprimet policore , si gjithkund në botë, politikanët vendosën kurorën e dafinës në kokën e tyre , si fitues , duke lëshuar deklarata që i përshtaten, jo një gjykimi të arsyeshëm por një shpërthimi euforik, si nevojë e domosdoshme për përmbushjen e kompleksit të inferioritetit apo forcimin e ndjenjës së madhështisë të cilën, as nuk e kishin, as nuk e kanë e as nuk do ta kenë në të ardhmen. Politikanët e Kosovës ishin më të përmbajtur se ata të Serbisë, në emër të tyre flisnin ndërkombëtarët duke ua peshuar dhe duke ua ditur sedrën. Por një gjë është shumë e sigurt; sot askush nuk të përkrahë pa fituar diçka që ata e duan. Sigurisht se faturat me kërkesa politike do dërgohen më vonë në adresë të Kosovës. Policët e Kosovës nuk folën shumë, madje fare pak por vepruan në mënyrë profesionale, madje shumë profesionale ndonëse thuaja në të gjitha vendet policët dhe ushtarët nga politikanët konsiderohen vetëm si numra dhe si mundësi për të marrë pushtetin apo për ta mbajtur atë. Bisedimet sikur edhe formati i tyre jo që nuk do të ndryshojë e lëre më të ndërpriten por do të dinamizohen. Realisht, këto zhvillime me përfundime tragjike edhe përdoren nga vendimmarrësit e vërtetë për të kushtëzuar politikisht palët në bisedime duke iu ofruar propozime të panegociueshme sikur që ishte psh. konferenca në Rambuje, sidomos për palën më të dobët. Në çaste të ereksionit euforik u propozua të refuzohen të gjitha marrëveshjet me Serbinë, të kushtëzohen bisedimet me njohje nga Serbia, me njohje nga pesë vendet mosnjohëse, t’i futen sanksionet Serbisë etj. sikur që Kosova të ishte i vetmi vend në botë që zotëron armët bërthamore. Presidentja Vojsa Osmani, të gjitha përpjekjet po i bënë për t’ia pakësuar barrën kryeministrit Kurti , për t’ia lehtësuar sado pak pozitën prandaj thirri subjektet opozitare politike duke e pasur të qartë se në këtë gjendje asnjë subjekt nuk do ta refuzojë këtë ftesë. Ftesë e tipit folklorik sikur që ishin folklor politik edhe deklaratat e pjesëmarrësve në këtë takim.
Deklaratë stereotipe që nuk del jashtë kornizës folklorike, mbi patriotizmin dhe atdhedashurinë! Albin Kurti dhe Vojsa Osmani janë sjellë në mënyrë më shpërfillëse dhe më jonjerëzore ndaj opozitës e sidomos ndaj PDK-së nga urrejtja patologjike që e kanë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. As nuk janë konsultuar me opozitën për asnjë veprim e as për këto ngjarje, por se duan që me opozitën t’i ndajnë pasojat. Asgjë më shumë. Se duan të blejnë kohë dhe të sigurt se nuk ka mundësi të devijojnë nga detyrimet e trashëguara dhe pasojat katastrofale të marrëveshjes së Brukelit, plus aneksi i Ohrit.
Vojsa Osmani shfaqë disa rezerva të qullëta për këtë dhe propozon që draftin për Zajebnicën ta bëjnë bashkë me amerikanët në ndërkohë që amerikanët kërkojnë të zbatohen pa vonesë dhe pa ndryshime marrëveshjet e arritura. Ec dhe gjendu në këtë situatë!
Kush humbë e kush fiton: Aleksandar Vuçiqi artin e gënjeshtrës, mashtrimit, manipulimit dhe vajit e ka ngritur në nivel të artit , artit të së mundshmes. Deri më tani po i dhezë, sidomos të ndërkombëtarët, mos të flasim për serbët. Në Serbi nuk ka opozitë, gjenerali Ponosh dhe Gjillasi me asgjë nuk mund ta rrezikojnë përveç me një fjalor më të radikalizuar sa i përket Kosovës. Ndërkombëtarët e kanë të qartë se Vuçiqi në çdo kohë mund ta destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën (faktikisht e ka ndarë), Malin e Zi, Kosovën madje nëse ka interes mund ta dridh edhe Maqedoninë e Veriut. Serbia doli haptas në anën e Rusisë në luftë kundër Ukrainës dhe nuk e pati asnjë sanksion.
Serbia është shumë e afërt me Kinën, shumicën e vendeve islamike (ish-vendet e painkuadruara ), me Indinë, Kinës, Iranin, Brazilin dhe Argjentinën. Francën e ka shumë afër historikisht dhe politikisht , Anglia ka interesa të mëdha ekonomike sidomos në veri të Kosovës (minierat dhe Liqeni i Ujmanit), në kohën e kancelares Merkel ka qenë e “përkëdhelura e Ballkanit”. Sipas logjikës se ekspertëve të sigurisë , kush ka kapacitet për të destabilizuar, ka kapacitet edhe për të stabilizuar, sidomos në Ballkanin e trazuar. Me këto zhvillime Vuçiqit i është dhënë një mundësi e artë të lirohet nga Radojiçiqi dhe nga Vulini për të mbetur i palagur dhe i pranuar nga ndërkombëtarët. Vuçiqit nuk i intereson marrëveshja me Kosovës ku Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Atij i intereson që ta kthejë apo ta ketë një kontroll në Kosovë dhe mbi Kosovën përmes kërcënimit për destabilizim të përhershëm duke i shfrytëzuar serbët lokalë.
Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit e hapë një mundësi të tillë për Serbinë. Fillimisht në mënyrë diskrete. Në fund të fundit në përpjekje për ta bishtnuar marrëveshjen, Vuçiqi i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme sikur që edhe e paralajmëroi mbrëmë në një intervistë në Radio Televizionin e Serbisë ku si magjistar i mashtrimit shpërndau shumë rrena dhe të pavërteta. Vuçiqi është i vetëdijshëm se nuk e ka asnjë konkurrent në “botën serbe” dhe se është lojtar i pazëvendësueshëm në procesin e bisedimeve për ndërkombëtarët.
Nuk mund ta rrezikojnë seriozisht madje as Nenad Rashiqi e Rada Trajkoviq. Aleksandar Vuçiqi do ta luajë deri në fund lojën “tërhiqe dhe mos e këput”, nuk do të refuzojë bisedimet por nuk do të pranojë marrëveshje ku Kosova do të detyrohet të pranohet e pavarur nga ai apo Serbia. Pse në rastin konkret Vuçiqi është zënë cullak , nuk e ka aspak problem , nuk është hera e parë e as e fundit . Përmes intervistave ka filluar t’i riciklojë rrenat dhe mashtrimet, i bindur në pozitën që e ka në procesin negociues dhe në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit. Një proverb kinez thotë se: “kur të poshtrin dhe të pafytyrin e pështyni në surrat , ai thotë se po bie shi…”. I tillë është Vuçiqi!
Albin Kurti po del të jetë fitues i çastit . Të gjithë po e thonë këtë. Nga një izolim ndërkombëtar menjëherë po e thërrasin me telefon, Çollet dhe të tjerët. Jo për ta pyetur për shëndetin, por për t’i rikujtuar për zotimet e paplotësuara. Albin Kurtit i rri mbi kokë Zajbnica, Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Albini e ka të qartë se nuk janë të mira, aspak të mira, por se nuk ka hapësirë manovrimi. Përmbushjen e këtyre zotimeve mund ta shtyjë vetëm nëse shkon në zgjedhje të reja apo nëse Vuçiqi e rrëzon Qeverinë e Serbisë duke shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. As Albini e as Vuçiqi nuk duan marrëveshje, kjo pikë i bashkon. Vuçiqi mbetet përsëri lojtar i pazëvendësueshëm edhe nëse Serbia shkon në zgjedhje. Albin Kurti, pas zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme, pavarësisht se do të dalë fitues më nuk do të jetë në krye të qeverisë, nuk do ta ketë një mundësi të tretë nga ndërkombëtarët. Presioni kryesorë do të shkojë te Albini nga i cili do të kërkohet të bëjë lëshime në emër të partneritetit me “miq ndërkombëtarë”. Në emër të ndihmës dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët siç ishte rasti i Manastirit të Banjskës. Albin Kurtit do t’i marrin ajrin rreth hapësirës së veprimit dhe mbijetesës politike dhe jo vetëm politike. Mos qofsha në lëkurën e tij. Se nuk do të ndahemi mirë , nuk e kam asnjë dyshim. Kosovës i duhet një lider dhe një politikë që këto humbje t’i bëjë sa më të vogla, sa më të durueshme dhe sa më pak të dhimbshme. A do të jetë ky Albin Kurti, nuk e di! Kemi shpërputhje të mëdha midis mundësive dhe dëshirave. Të pakapërcyeshme. Albin Kurti duhet të dalë para popullit dhe t’i tregojë realitetin e trashëguar dhe të krijuar nga vet ai. Kjo është e vetmja gjë që kërkohet nga ai tani! A do ta bëjë, nuk e di. Duhet ta bëjë! Nuk ka mundësi tjetër!