PAS NJË TITULLI TË MIRË HILE DHE TË PAVËRTETA

01 korrik 2022 | 12:51

Reagim ndaj shkrimit të z. Ragip Shala botuar në gazetën “Epoka e re” të datës 27.06.2022, me titull “Pajtimtarët Çlirimtarë”

Nga: Habib Zogaj, autor i librit “KUVENDI I BUBAVECIT”, Prishtinë, 2020

Respekt për lexuesit e librave të mi! I gatshëm të pranoj këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet e sinqerta nga çdo lexues, por jo si hilet, tendencat dhe të pavërtetat e z. Ragip Shala!

Reagimi i tij fillon “së fundmi… edhe Habib Zogaj ka botuar librin Kuvendi i Bubavecit, 26 prill 1990, me recensent doktor Mehmet Rukiqin, këshillë redaktues Fetah Bekollin e Januz Mazrekun dhe konsulent, Xhevat Kryeziun”!
Dorën në zemër, nuk e pata vështirë t’i gjejë këta miq dhe kah do që e analizova, ishin shumë adekuat, të qëlluar dhe kompetent.
Doktor Mehmet Rukiqi një filolog i përmasave, njeri me shumë përvojë në këtë fushë, i angazhuar në pajtime dhe thjeshtë kalibër i veçantë. Këshilli Redaktues, z. Fetah Bekolli dhe z. Januz Mazreku si dhe konsulenti z. Xhevat Kryeziu atëherë e sot aktiv dhe të pa krahasuar në shuarjen e hasmërisë, gjakderdhjes dhe vëllavrasjes. Edhe po të pyesja Ragip Shalën e ka pas vështirë t’ua gjejë zëvendësimin. Pajtimtarë ka pas shumë dhe të mirë por edhe këta, për asnjë moment nuk ishin jashtë loje. Libri si tërësi (me 250 faqe), me një përpjekje maksimale të autorit që të elaboroi rrethanat shoqërore politike, qëllimin dhe përgatitjet që pas pajtimeve të veprohet edhe në luftimin e Serbisë pushtuese të Millosheviqit.
Mirëpo, sikur çdo vepër tjetër as kjo nuk është e përkryer. Por thuhet që as piktura “Monaliza” që vlerësohet si një nga më të mirat në botë, nuk është e përkryer! Prej kah të mendoj unë se është e përkryer, por “fajet” që ia gjen Ragip Shala, janë pak si hileqare, tendencioze, të pa vërteta dhe si tiketa nga gjuhë e kultura të huaja!
PRANDAJ, më vjen keq për ty por merre mbrapsht fjalën “error”!

No description available.

Më duhet ta them që në fillim, një herë e mirë që Mulla Xhevat Kryeziu është sinonim i pajtimit të gjaqeve. Pyesni ku të doni, në Kosovë e në mërgatë deri në Amerikë, e din, e njohin, ia besojnë dhe e vlerësojnë për përkushtimin në këtë mision kaq të shenjtë!
PRANDAJ, tërhiqe fjalën “error” se nuk ta han pazari!
Pastaj pse “së fundmi”, kur fund e krye qe 43 vjet jam njëfarë kronikani i Llapushës. Kurrë pa ik përjashta, (sikur ti p.sh.), përball të gjitha furtunave, në ditët më të vështira, (kujto dëbimin nga puna, pastaj LASH-in. Torturën 19 orë në stacionin e policisë në Rahovec, (shtator, 1993), së bashku me arsimtarin po aq stoik Hasan Morina etj). Libri në fjalë nuk është as i pari as i fundit, mbase e dinë këtë, prandaj mos prit të më dridhen këmbët nga kinse reagimi i juaj që qëllimin kryesor e ka që ta aktualizosh emrin tuaj si pajtimtar i ditëve të para. Nuk të është mohuar, shihni mirë librin që të jeni më të sakët, më të fort në reagim, sepse nuk mund t’i duroj të pasaktat tua. P.sh. në hulumtimet e autorit të librit, emri juaj në listë është i katërti, (shih fq. 56), kurse i hoxhë Xhevat Kryeziut që kot i bini aq paturpësisht në qafë, është i 29-ti! Kurse në listën e ish-studentëve të angazhuar në pajtime të deklaruar nga z. Asllan Kastrati, (që ju e përmendni në njëfarë këshilli koordinues), jeni i 25-ti, kurse Hoxhë Xhevati është prapë i fundit në listë), (shih fq. 174 . Për këtë farë këshilli koordinues që e përmendni ju, nuk kisha dëgjuar kurrë, (përkundër angazhimit më shumë se një vit hulumtime) nuk ma ka përmendur askush, as z. Asllan Kastrati. Pastaj shtrohet pyetja po të ekziston ky farë këshilli tre anëtarësh, pse emri juaj të mos ishte të paktën numër 3, pas Asllanit?!
PRANDAJ, tërhiqi fjalët e huaja “error” dhe “shirk”, le t’iu kthehet si bumerang, sepse nuk të bëjnë nder ty por askujt! Ia humbin vlerën edhe atyre pak muajve që je angazhuar në Lëvizjen Popullore të Pajtimit të Gjaqeve
Pastaj vazhdoni me fjalë të huaja glorifikim, stigmatizim…
Ndoshta edhe unë vet e “xhelozoi” sa edhe ti Mulla Xhevat Kryeziun për respektin dhe besimin që gëzon në popull, por siç e thoni edhe ju R. Shala, nuk e thash unë,- e thanë pajtimtarë të shumtë, të gjithë, të vjetër e të dëshmuar, e tha i madhi Anton Çeta: “E kam krah të djathtë Mulla Xhevatin”! E thanë më shumë se dhjetë profesor doktor e pajtimtar të përkushtuar. Kush jam unë të tjetërsoj fjalët e tyre, qoftë edhe për hatrin tënd?! Pse?! Edhe A. Kastrati tha: “Roli i Mulla Xhevatit ishte i jashtëzakonshëm. Jo vetëm si klerik por si patriot i kohës…” (shih fq. 173). Kush jen ju të dilni përball të gjithëve dhe cili është qellimi?!

No description available.

Ky është glorifikimi që i ka bërë autori?!

Jo Ragip Shala, tërhiq edhe këtë fjalë të huaj sepse nuk përkon me librin, autorin as personazhin, në fakt prototipin që po përpiqeni t’ia zbehni veprën, kontributin, misionin e pajtimtarit. Po përmendni “stigmatizimin në tërësi të Këshillit të Pajtimit në Malishevë”! Merrni ju shkruani për Këshillin e Pajtimit të Malishevës, sa humb kohë qe dy vite për një reagim. Tashmë dëgjova se ishit bërë merak të reagoni për të gjithë librat e shkruar për pajtime. Sigurisht mendoni se autorët duhet t’iu kontaktojnë juve domosdo! Edhe të njëjtin objekt, ngjarje apo vepër të gjithë e shohin nga këndi i tyre pastaj varet edhe me cilin sy duan ta shohin. Asgjë nuk është krejt zi, aq më pak KUVENDI I BUBAVECIT.
KUVENDI I BUBAVECIT, shkëlqen si ngjarje, si vepër e misionarëve të LPGJ, kurse përpjekja ime ishte që atë shkëlqim ta bart në letër (libër) dhe në celuloid, (dokumentar) me të njëjtin emër, gjithmonë mbështetur në fakte dhe pa lënë anash askënd.
Shkruaj që ta shohësh sa punë, angazhim, përkushtim, mundi e mend kërkon një libër. Po mendon se janë argat të shatit ata që shkruajnë, po mendon se mund të luaj kushdo me veprat e tyre?!
Faktet janë më të forta se guri!
Jo Ragip Shala! Po harroni se tema ime është “Kuvendi i Bubavecit”! Aty ku për herë të parë në Historinë e Lëvizjeve për Pajtimin e Gjaqeve qoftë edhe para e pas ISLIHATIT, kurrë nuk janë tubuar në një vend aq shumë njerëz. Ju thoni 100 mijë, por vlerësimet e të tjerëve janë rreth 200-300 mijë njerëz.
PRANDAJ, jo Ragip Shala, tërhiqi, merri me vete edhe fjalët glorifikim, stigmatizim, shirk… se nuk e ke goditur as tabelën le më shifrat në te!
Ndalemi pak te titulli “Pajtimtarët çlirimtarë”!
Shumë i mirë! Përmendni Heronjtë e Kombit Ibrahim Mazreku e profesor Hamdi Berisha!
Po z. Shala, por ti nuk ishe me TA! Këtu qëndron defekti, se ti as në LPPGJ nuk ishe deri në fund! Isha unë, që bashkë me profesor Hamdiun në të njëjtën kohë, me të njëjtin urdhër hymë në Rahovec. Isha unë me Ibrahim Mazrekun kur në njërën nga rastet kur hymë nga drejtimi që vije nga Banja, ku krejt rruga ishte e barrikaduar me lisa plepi të kthyer për trup në rrugë. Në një moment kur po errej, Ibrahim Mayreku tha, “ djema a e din çka? Sonte në Malishevë do të rrimë vetëm ne malishevasit. E njohim terrenin. Ju vini nesër para agimit. Urdhër! Kur u larguam pak, Syla, (Sylejman Mazreku, tash në amshim edhe ai), mu afrua vrap dhe në pëshpëritje më tha: “ gazetar, Ibrahimi tha, thuaj Habibit, ma len at bateri nate, (llampë ndriçuese) se nuk kemi fare, mund të na duhet”! Nuk ishte ti zotëri Shala! Mund të ketë qenë ai, profesor Ramadan Mazreku, që dëshiruaka ta “apostrofoj” librin tim, e nuk ka davanë të shkruaj vet. Është gjuhëtar. Iu ka borxh ngjarjeve, heronjve, historisë, po kush të rri e të pi qaj të zi për ne! Kurse po më erdhi si top para këmbe po e shutoj Habib Zogajn apo kushdo qoftë sepse u dashka shkruar vetëm ashtu si i pëlqen Ragipit apo Ramadanit?!
Ragip Shala, si nuk more guximin njëherë, sinqerisht të thua se e ke lënë herët angazhimin në Lëvizjen e Pajtimeve?! Pastaj zotëri Shala, ne këtu kemi vazhduar edhe me shumë punë e detyra të tjera. Ky vendasi yt që e ke vu në shënjestër, ka udhëhequr Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar, (kur tabori i arsimtarëve, profesorëve ka punuar pa kurrfarë page, edhe ata kanë pas fëmijë e familje, iu ka munguar edhe buka, (mos të flasim për lluksin e perendimit që keni zgjedhur ju), ka furnizuar atëherë 16 shkolla fillore e dy të mesme, me ditar, dëftesa, diploma e vula me mbishkrimin Republika e Kosovës. Ky autori i librit që ke vu ti në shënjestër ishte njëfarë ushtari, çlirimtari, reporteri i luftës së Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së Lajmeve KOSOVAPRESS. Kishte edhe ca detyra të tjera që nuk u zmbraps kurrë pavarësisht çmimit. Nuk e kishe të ndaluar të uleshim sepse mua këmbët ende më bëjnë sa për t’u ofruar zvarrë te vetura e me dal në kafe! Ka do kohë që je mat me “sulmu”, por ke dilemat tua, pasigurinë, egon për t’i parë gjërat “nga lartë”! Kemi komunikuar! Gjatë punës në libër, unë bëra orvatje të kontaktoja edhe me z. Avdyl Berisha,-kryetarin e parë dhe të vetëm të Këshillit të Pajtimit në Malishevë, që përafërsisht në të njëjtën kohë me ju është larguar nga Këshilli! Disa përpjekje përmes njerëzve, por mora përgjigje indirekte shumë modeste nga ai. Pa kurrfarë prepotence !
Kulmi i së keqes dhe që nuk më ka lënë të hesht e të mos i reagoj shkrimit tënd është pohimi juaj se kinse në libër:” krejt në emër të kauzës kombëtare dhe asnjë në emër të besimit fetar”!!!
Kush e tha ndryshe, “në emër të besimit fetar”?!
Ku e gjete një pohim që në emër të fesë?
A edhe këtu po gjen xhingla a?! Ku është serioziteti i paraqitjes publike me një shkrim?!
A nuk e pe të cituar thënien: “ndonëse shqiptarët kanë tri fe, këtu u dëshmua se ato këtë popull kurrë nuk e kanë ndarë…” (shih fq. 58)!
Tash, Ragip Shala a je aq shakaxhi a??? Pse po i lë anash figurat që bashkëvepruan, Anton Çetta, Mulla Xhevati, Don Lush Gjergji, Fetah Bekolli dhe shuuumë profesor doktor të të dy feve!
Fundja more Ragip Shala, a nuk pati xhami në fshatin Banjë a? Dihet se aty ishte Gjoka, (që mund ti ketë ngel hatri), që mund të ketë pasur ndonjë mision anti shqiptar por Bubaveci a nuk ishte në kufi kadastral me Kijevën a?!

Ti, shoku im, jo rrallë ndeshesh edhe me mendimin tënd brenda tekstit tënd!? Tash, a vërtet unë mendoja se pajtimi bëhej dhe arrihej brenda ditës së Bajramit të Madh apo, siç citon librin tim se “pajtimtarët kishin bërë punën e tyre, kishin bindur shumë familje që të shtrijnë dorën e pajtimit, pikërisht në Festën e Bajramit”?!
Mirë do të ishte ti njihen meritat secilit! Edhe KUVENDIT TË BUBAVECIT, sepse përveç paraqitjes para masës, është bë edhe kuvend brenda në xhami, aty ku janë shtrirë duart e pajtimit dhe janë dhënë uratat që nga Anton Çetta: “ Paçi faqen e bardhë…(por ndoshta ty nuk të ka rënë hise të ishe brenda)?!
Mua më ka pëlqyer ta quaj “KUVENDI I BUBVECIT”! Shumë më dashamirës do ta merrja këshillën p.sh. të thoni pse nuk e kam quajtur KUVENDI HISTORIK I BUBAVECIT. Mirëpo ti që din të shkruash,-shkruaj një libër tjetër edhe titulloje për shijen tënde, shihe ngjarjen nga këndi yt, (nëse mund ta kishe parë nga jeta luksoze e perëndimit ), zgjidh bashkëbiseduesit për dëshirën tënde (nëse kjo punë bëhet qysh të kesh qejf) e mos u merr shumë me reagime sepse edhe mund të thuhet që “nuk ka punë pa gabime”, por ju e dini që thuhet më pastaj se “gabimi më i madh është kur nuk punohet farë”!
Duke qenë se u zgjata shumë ndoshta në kurriz të lexuesit edhe pse nuk i preka të gjitha ato që keni “apostrofuar”, ti,-këtë herë këtu do ta leja, me mesazhin që të mos bëhesh shumë shakaxhi ndoshta pa e lexuar gjithë librin fund e krye ose duke reaguar për hatër të njërit që “nuk dëshiron ti shihen këmbët” ose edhe për faktin që dëshiron publikisht ri aktualizoni emrin tuaj si anëtarë ani pse për vetëm pak muaj angazhim. Lufta ka vazhduar edhe pas përfundimit të aksionit për pajtimin e gjaqeve. Njerëzit kanë rënë heroikisht në mbrojtje të atdheut, por ti nuk ishe aty!
Ai, Mulla Xhevati ndoshta edhe sot kur po shkruajmë është në ndonjë familje të lënduar që ti qes kapak hasmërisë dhe gjakderdhjes, kurse nëse nuk ke dëgjuar me iniciativën e tij, Bubaveci, ka muze shumë më të pasur se muzeu komunal dhe për më tepër aty Ragip Shala për ato vetëm sa një stinë të angazhimit tuaj aty figuron edhe një foto e juaja si pajtimtar!
Ky, vendasi yt ka promovuar edhe tjetër libër e dokumentar dhe po vazhdon me projekte të tjera.

No description available.

PRANDAJ lej fjalët e huaja, (si error, shirk, stigmatizim, glorifikim etj për tu dukur i madh) se mjaftë e pasur është gjuha jonë! Hajde, të shkruajmë, të rehabilitojmë e të lëmë të shkruar edhe për ndonjë dëshmorë kombi dhe për heroizmin e tyre se për mua e ty bile pak tepër është shkruar e është publikuar! Jemi banor Llapushe dhe na ka hije modestia. Thuhet:”kalli që është plot grurë e var kokën poshtë”, kurse ai që krekoset mund të jetë bosh fare!
Ne, po vazhdojmë të punojmë sa të jetë e shkruar, kurse ti mos u ndal së reaguari (së përgojuari punës sonë) veç të lutem (miqësisht) mos lejo të ndikohesh nga ndonjë “xheloz” që vet (nuk din), nuk mundet e puna e të tjerëve i pengon!
Uroj të vemi mbarë e të punojmë me përkushtim e sinqeritet!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas 7 sezonesh dhe 251 paraqitjesh në total në të…