Pas përplasjes me ministrin Peci, Ganimete Musliu del në konferencë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, do të dalë në konferencë për media, pas eskalimit të debatit me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Konferenca e Musliut do të fillojë në orën 16:00.
“Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, mban sot konferencë për media”, ka njoftuar PDK-ja.
Ndryshe, deputetja Musliu dhe ministri Peci kanë eskaluar në debatin e sotëm gjatë raportimit të ministrit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Musliu e ka quajtur Pecin rrugaç dhe e ka gjuajtur në fytyrë me ujë.
Pas kësaj, deputetja e ka lëshuar mbledhjen e komisionit.
Ndërsa ministri Peci ka deklaruar se në ministrinë që e drejton, nuk do të ndalet në luftimin e korrupsionit dhe krimit.
“N’daq gjuani më ujë, n’daq më plumba, qysh keni gju ma herët, por nuk ka bir nane që e ndal Faton Pecin prej Ministrisë së Bujqësisë me e luftuar krimin edhe korrupsionin”, ka deklaruar Peci.