Pas Preshevës, kryebashkiaku Erion Veliaj shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Bujanocit
Pas Preshevës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shpallur “Qytetar Nderi” edhe nga Komuna e Bujanocit.
Ishte kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, ai që propozoi nderimin e kryebashkiakut Veliaj, në shenjë falënderimi për financimin e përmirësimit të kushteve infrastrukturore në shkollën fillore “Naim Frashëri”.
“Kuvendi Komunal i Bujanocit në seancën solemne ka votuar për ndarjen e titullit ‘Qytetar Nderi’ i Komunës së Bujanocit kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në seancë morën pjesë 23 këshilltarë, dhe të gjithë votuan për, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Tani mbetet që Ministria e Administratës Shtetërore dhe Pushtetit Lokal të jep pëlqim për zyrtarizimin e titullit ‘Qytetar Nderi’”, ka njoftuar Komuna e Bujanocit.
“Kryebashkiaku Veliaj ka bërë një hap tejet të rëndësishëm për fëmijët tanë. Po ua bën ëndrrën realitet, duke mbështetur në tërësi projektin e ngritjes së e palestrës sportive të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc me vlerë prej 550 mijë eurove, duke treguar bashkëpunimin dhe gatishmërinë që të mbështesë komunën tonë në forma të drejtpërdrejta”, tha Ramadani.