Pas protestave, Qeveria e Libanit pajtohet për reforma
Koalicioni qeveritar i Libanit raportohet se është pajtuar për një paketë reformash ekonomike, në përpjekje për të qetësuar protestat më të mëdha ndër vite.
Qindra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë të dielën, në ditën e katërt të protestave antiqeveritare.
Ato janë nxitur fillimisht nga një plan i qeverisë për t’i bërë me pagesë thirrjet në “WhatsApp” dhe aplikacione të tjera online.
Qeveria e ka tërhequr këtë plan, por protestat kanë vazhduar me kërkesa më të gjera për reforma.
Ekonomia libaneze po lufton me rritje të ulët dhe borxhe të larta.
Të premten, kryeministri i Libanit, Saad Hariri, u ka dhënë partnerëve të tij të koalicionit 72 orë kohë për të mbështetur reformat ekonomike, raporton “Rel”.
Burimet qeveritare kanë thënë se marrëveshja është arritur të dielën vonë.
Marrëveshja thuhet se përfshin plane për privatizimin e shërbimeve kryesore, zvogëlimin e pagave të politikanëve dhe masa për të adresuar deficitin buxhetor të Libanit.
Paketa e reformave pritet të miratohet sot në një mbledhje të kabinetit.