Pas rasteve të dhunës në shkolla, kërkohet shtimi i patrullave policore
Në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për shtimin e sigurisë në shkolla, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, drejtorin e operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti dhe zëvendëskryetarin e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, Blerim Thaqi.
Pas diskutimeve në lidhje me aktet e dhunës në shkolla, të raportuara kohëve të fundit, ministri Bytyqi ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë akterëve relevantë të pranishëm në takim, me të cilët kanë arritur konkluzione të cilat do të çojnë drejt një zgjidhjeje të përshtatshme për eliminimin e kësaj dukurie.
“Pas shumë diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, kemi ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka treguar se me ministrin Mustafa, përfaqësuesin e policisë dhe Kolegjiumit të DKA-ve, është pajtuar që pas përfundimit të vitit shkollor të bëhet krijimi i Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.
“Në këtë takim po ashtu kam ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kërkojnë nga drejtorët e shkollave të mbajnë mbledhje urgjente me prindër, për të diskutuar sigurinë në shkolla dhe planet për ta përmirësuar atë dhe të kërkohet nga drejtorët e shkollave të raportohen të gjitha rastet e dhunës apo incidentet në polici”, ka theksuar ministri Bytyqi.
/Epoka e re/