Pas rastit të parë me koronavirus në Drenas reagon Ramiz Lladrovci
Pas lajmit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) se të hënën janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me koronavirus në Kosovë, në mesin e tyre edhe një nga Drenasi, ka reaguar kryetari i kësaj komune Ramiz Lladrovci.
“Qytetari i infektuar me virusin Covid-19, edhe pse është me adresë nga komuna jonë, gjatë muajve të fundit nuk kishte fare kontakte me komunën tonë. Në kontakt me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), prof. dr. Naser Ramadani, u informova se një pacient nga komuna e Drenasit, është i infektuar me virusin Covid-19. Njoftoj qytetarët e komunës së Drenasit se pacienti ka lindur në komunën tonë dhe me adresë është nga komuna jonë, por muajve të fundit, nuk ka qenë në shtëpinë e vet në komunën e Drenasit”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka uruar që pacienti nga Drenasi por edhe të gjithë të prekurit tjerë nga ky virus, të shërohen sa më shpejt dhe të mos kemi raste të reja të infektimit, ndërsa familjarëve të të infektuarit, u ka kërkuar të ruajnë qetësinë dhe durimin në përballjen e suksesshme me këtë virus.
“Ne do të veprojmë sipas rekomandimeve të IKShP dhe institucioneve relevante, në bashkëpunim me Këshillin Emergjent Lokal dhe instancat tjera komunale, duke ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, parandalimin dhe luftimin e virusit Covid-19. Kujdes po, panik jo!”, ka shkruar Lladrovci.
/Epoka e re/