Pas reshjeve të shiut që ndodhën dje, Rama del në terren për ta parë gjendjen
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë në terren për të parë gjendjen pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme në kryeqytet.
“Dolëm në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme. Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët”, ka thënë ai.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojnë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.
“Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor prandaj jemi në terren në çdo kohë!”, ka theksuar Rama.