
Pas rrjedhjes së një kaldaje, KEK-u njofton se kthehet në operim njësia A-4
Pas një pune intensive dhe të pandërprerë nga ekipet përkatëse të TC Kosova A, njësia A-4 është rikthyer sërish në operim të rregullt.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Koorporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Tutje në njoftim thuhet se kjo njësi kishte dalë nga prodhimi më 14.04.2025, rreth orës 08:11, për shkak të paraqitjes së një rrjedhjeje në kaldajë.
“Gjatë ndërprerjes, janë eliminuar me sukses të gjitha mangësitë teknike, përfshirë edhe ato në kullën ftohëse dhe në pjesë të tjera të pajisjeve teknologjike të domosdoshme për rritjen e sigurisë së operimit të kësaj njësie. Vlen të theksohet se, para kësaj ndaljeje, njësia A-4 kishte operuar pandërprerë për 68 ditë rresht, duke dëshmuar stabilitet të lartë dhe efikasitet në prodhim”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas planifikimit, përgatitjet për startimin e njësisë kanë filluar mbrëmë me 21.04.2025 rreth orës 18:55, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar në orë 23:30.
“Aktualisht, njësia ndodhet në gjendje stabile dhe funksionon në parametra të rregullt operimi. KEK, përmes angazhimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, po dëshmon se mbetet një faktor kyç i stabilitetit të sektorit energjetik në vend”.