Pas SHBA edhe Gjermania kundër “botës serbe”: E papranueshme!
Pas kritikave të forta të Shteteve të Bashkuara, edhe Gjermania reagon kundër konkluzioneve të të ashtuquajturit parlament i “Botës Serbe”. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, shprehu shqetësim për aktivitetin e mbajtur me 8 qershor.
“Kërcënimet ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës janë krejtësisht të papranueshme për Gjermaninë dhe Perëndimin“, tha shefja e diplomacisë së Berlinit.
Autoritetet në Sarajevë e informuan atë se “Bota Serbe” ka bërë sulmin më të rëndë ndonjëherë kundër marrëveshjes së paqes të Dejtonit që nga vitit 1995.
“Mbajtja e atij parlamenti është një sulm ndaj ligjit ndërkombëtar dhe vlerave bazë mbi të cilat mbështetet Bashkimi Europian”, thuhet në reagimin e kryetarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviç, që ka biseduar me ministren gjermane.