Pas SHBA-së edhe Britania e Kanadaja i bashkohen bojkotimit diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin
Britania e Madhe dhe Kanadaja u janë bashkuar Australisë e Shteteve të Bashkuara në bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin. Kina ka thënë se këto bojkotime janë fushatë për njollosjen e saj.
Shtetet e Bashkuara të parat njoftuan këtë javë për bojkotimin, duke thënë të hënën se zyrtarët qeveritarë të saj nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Kinë në shkurt të vitit të ardhshëm për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut në atë vend.
Kina tha të martën se Shtetet e Bashkuara “do të paguajnë një çmim” për vendimin e tyre dhe paralajmëroi kundërmasa, por nuk dha hollësi për to. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u mundua që ta minimizojë bojkotimin diplomatik në rritje, shkruan Reuters.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se Pekini do të jetë i vetëdijshëm për shqetësimet e vjetra të Perëndimit rreth të drejtave të njeriut në Kinë. “Nuk do të duhej që të ishte befasi që ne kemi vendosur për të mos dërguar përfaqësim diplomatik”, tha ai.
Vendimi i Trudeau-s duket se qartazi do t’i shtojë tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara mes dy vendeve për shkak të ndalimit të shefes së kompanisë kineze të teknologjisë “Huawei”, Meng Wanzhou, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara.