Pas shkarkimit, Fadil Kodra kthehet në krye të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave
Fadil Kodra është kthyer sërish në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, pas pranimit të ankesës së tij nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Një vendim të tillë e ka bërë të ditur avokati i Kodrës, Faton Fetahu.
Fetahu përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se “është anuluar vendimi kontestues i Ministrisë së Brendshme”.
“Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar, më lejoni t’iu njoftoj që sapo e pranova Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në bazë të të cilit, është APROVUAR ankesa të cilën e kemi parashtruar dhe si rezultat, është anuluar vendimi kontestues i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent”, ka shkruar avokati Fetahu.
Ai ka shtuar se për detaje të tjera ligjore, do të njoftojë orëve në vijim.
Më 14 korrik, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte marrë vendim për lirim nga detyra të Kodrës, i cili ishte u.d. i drejtorit të AME-së.